Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kusari: Nuk ka krizë për naftë në Kosovë, as bazë për ngritje çmimesh


Mimoza Kusari-Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë, ka deklaruar se nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në vend.

Përmes një njoftimi në facebook, ministria bëri të ditur se bazuar në të dhënat nga kompanitë që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet e naftës janë në nivele të rregullta dhe në përputhje me situatat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Sipas saj, furnizimi në treg është stabil dhe pa ndërprerje.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit njofton qytetarët se nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.

Bazuar në të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Furnizimi në treg është stabil dhe pa ndërprerje.

Për këtë arsye, nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme.

Po ashtu, duke marrë parasysh stabilizimin e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare, aktualisht nuk ka bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit po monitoron në vazhdimësi zbatimin e vendimit për marzhën e fitimit, ndërsa Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është i angazhuar maksimalisht në terren për të siguruar respektimin e këtij vendimi dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Institucionet do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër tregun për të garantuar stabilitet në furnizim dhe çmime të drejta për qytetarët dhe bizneset.”