Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria po ndjek me monitorim të përditshëm zhvillimet e çmimeve të karburanteve në treg, në kushtet e rritjeve të fundit të naftës.
Gjatë një deklarate për mediat, Ibrahimaj bëri të ditur se është zhvilluar një takim me përfaqësues të industrisë së hidrokarbureve për të diskutuar situatën dhe për të ngritur alarmin për rritjen e çmimeve.
“Kemi zhvilluar një takim me shoqatën e hidrokarbureve dhe tregtarët kryesorë për të ngritur alarmin për rritje të çmimit. Kemi diskutuar për detyrimin që ata kanë për mbajtjen e rezervës që të mos kalojmë në situatë emergjente. Po monitorojmë në 24 orë çmimet në bursë dhe jo vetëm,” tha ajo.
Sipas ministres, për momentin nuk vlerësohet e nevojshme rikthimi i Bordi i Transparencës së Karburanteve, por kjo mund të ndryshojë nëse situata në treg përkeqësohet.
“Kemi pasur eksperiencë gjatë krizës 2022-2023 kur çmimi i naftës u rrit dhe u ngrit një bord. Nuk vlerësojmë se ende jemi në fazën që duhet të kemi nevojën për ngritjen e bordit, por nëse situata vijon do të duhet të hyjmë në këtë regjim,” u shpreh Ibrahimaj.
Ajo theksoi se institucionet do të marrin të dhëna nga administrata doganore për çmimet e bursës dhe për vlerën me të cilën importohen karburantet në vend, në mënyrë që të analizohen marzhet e tregut.
“Ne do të marrim nga administrata doganore çmimet e bursës që i referohen mallrave që hyjnë në vend dhe do të shohim çdo ditë me çfarë çmimi zhdoganohen. Ky monitorim do të bëhet për të kuptuar se si vijojnë marzhet,” tha ministrja.
Sipas saj, qeveria nuk mund të ndërhyjë në çmimet e bursës ndërkombëtare, por institucionet do të ndërhyjnë nëse konstatojnë abuzime ose spekulime me çmimet në tregun vendas.
