Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoresha e Territorit prezanton projekte investimi në panairin e Cannes


Agjencia e Zhvillimit të Territorit me në krye Adelajda Rokën, në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit prezantuan Shqipërinë në panairin ndërkombëtar të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme MIPIM 2026, që po zhvillohet në Cannes.

Në këtë panair, i cili organizohet çdo vit dhe mbledh qindra shtete me traditë në sektorin e ndërtimit dhe “real estate”, prezantohen projektet më moderne dhe zhvillimet më të rëndësishme të industrisë globale.

Në këtë edicion, institucionet shqiptare prezantuan disa projekte të rëndësishme që po zbatohen në vend, përfshirë komplekse banimi dhe resorte turistike, të cilat synojnë të afrojnë Shqipërinë me standardet ndërkombëtare në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, u shpreh se pavijoni shqiptar ka tërhequr interes të madh nga vizitorët dhe profesionistët e fushës.

“Në këtë panair janë paraqitur rreth 100 projekte, ku secili projekt ka karakteristikat e veta, zonën ku zhvillohet dhe ajo që vlen për t’u theksuar është prezenca e arkitektëve të huaj të cilët kanë qenë vetë në stendë dhe në pavijon. Unë them se pavijoni shqiptar mund të ketë qenë një nga më të vizituarit, kjo jo vetëm për arkitekturën tërheqëse por për gjithçka që mbart brenda. Ne jemi të bindur që gjithçka po ndodh në këtë periudhë në Shqipëri, i gjithë zhvillimi, i kuruar nga studio ndërkombëtare më të famshme botërore, e bën pavijonin për të mos pasur nevojë për shumë fjalë,” deklaroi ajo.

Sipas saj, projektet e prezantuara kanë marrë vlerësime pozitive nga ekspertë dhe përfaqësues të agjencive prestigjioze nga e gjithë bota, të cilët kanë shprehur interes për mundësitë e investimit në Shqipëri.

MIPIM është një panair dhe konferencë globale për industrinë e pasurive të paluajtshme, ku marrin pjesë ndërtues të mëdhenj, investitorë ndërkombëtarë, banka dhe kompani financiare.

Në këtë platformë ndërkombëtare, qeveri nga vende të ndryshme prezantojnë projekte publike dhe private, ndërsa arkitektë dhe kompani ndërtimi paraqesin konceptet dhe projektet e tyre më inovative.

Këtë vit panairi ka mbledhur mbi 20 mijë profesionistë nga e gjithë bota, ndërsa pjesëmarrja e Shqipërisë synon të promovojë projektet në zhvillim dhe të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi me kompani ndërkombëtare në fushën e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.