Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se dita e sotme pritet të jetë më intensivja e operacioneve ushtarake amerikane kundër Iranit, me numrin më të madh të avionëve luftarakë, bombarduesve dhe sulmeve që nga fillimi i luftës.
Në një deklaratë për mediat, Hegseth tha se operacionet e Departamentit të Mbrojtjes do të përfshijnë “më shumë avionë luftarakë, më shumë bombardues dhe më shumë goditje se në çdo ditë tjetër të konfliktit”.
Megjithatë ai theksoi gjithashtu se gjatë 24 orëve të fundit Irani ka lëshuar numrin më të ulët të raketave që nga fillimi i luftës, duke sugjeruar një rënie të intensitetit të kundërsulmeve iraniane.
Ndërkohë banorë të Tehranit i thanë BBC-së se sulmet ajrore të natës së kaluar nga SHBA dhe Izraeli kanë qenë shumë të fuqishme.
“Goditën fort mbrëmë,” tha një banor i kryeqytetit iranian, ndërsa pamje të publikuara nga Irani tregojnë një taksi që përpiqet të largohet nga zona e bombardimeve, ndërsa xhami i përparmë i makinës thyhet nga vala goditëse e shpërthimeve.
Në një tjetër zhvillim, një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran paralajmëroi presidentin amerikan Donald Trump përmes rrjeteve sociale duke shkruar: “Bëj kujdes që të mos eliminohesh.”
Trump kishte deklaruar një ditë më parë se lufta është “shumë përpara afatit”, duke sugjeruar se operacionet ushtarake po ecin sipas planit të Uashingtonit.
Ndërkohë në frontin ndërkombëtar, anija luftarake britanike HMS Dragon është nisur nga Mbretëria e Bashkuar drejt Mesdheut Lindor për t’u bashkuar me forcat që monitorojnë situatën në rajon.
Në tregjet financiare, çmimi i naftës Brent është stabilizuar rreth 88 dollarë për fuçi, më i ulët se niveli prej gati 120 dollarësh që arriti të hënën, por ende më i lartë se para shpërthimit të konfliktit.
