
Takimi u zhvillua në kuadër të monitorimit të situatës së çmimeve të karburanteve dhe zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit u analizua ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut, si referencë për gazoilin dhe benzinën, si dhe raporti ndërmjet çmimeve të importit, çmimeve të shitjes me shumicë dhe çmimeve të shitjes me pakicë në tregun vendas.
Palët ranë dakord për rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit mbi lëvizjen e çmimeve, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm.
Në këtë kuadër:
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ndërmarrë këto masa:
ngritjen e një mekanizmi të përditshëm monitorimi të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas;
analizimin periodik të raportit mes çmimeve të bursës Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg;
koordinimin e vazhdueshëm me operatorët e tregut dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg;
informimin periodik të publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore, e cila do të ketë për detyrë:
rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, në tregtimin me shumicë dhe me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve;
monitorimin e marzheve të fitimit në gjithë zinxhirin e tregtimit të hidrokarbureve, nga momenti i importit deri te shitja me pakicë, për të garantuar që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale të tregut ndërkombëtar;
garantimin që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe gjithashtu karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Gjatë takimit u theksua se situata aktuale në tregjet ndërkombëtare kërkon vëmendje dhe reagim të shpejtë institucional, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i tregut dhe të mbrohen interesat e konsumatorëve shqiptarë.
Autoritetet shtetërore do të vijojnë monitorimin e përditshëm të bursave ndërkombëtare dhe të tregut vendas, duke marrë masat e nevojshme në rast të devijimeve të pajustifikuara të çmimeve.
Institucionet mbeten të angazhuara për garantimin e transparencës, konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve në tregun e hidrokarbureve në Shqipëri.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor