
Papa Leo ka pranuar dorëheqjen e një peshkopi katolik në San Diego, i cili u arrestua nga autoritetet lokale me dyshimin për vjedhjen e 250,000 dollarëve nga bashkësia e tij, njoftoi Vatikani të martën.
Peshkopi Emanuel Hana Shaleta kishte udhëhequr komunitetin e vogël katolik kaldeas në qytetin e Kalifornisë që nga viti 2017. Ai u deklarua i pafajshëm për 16 akuza për përvetësim fondesh dhe pastrim parash në një seancë dëgjimore të hënën, sipas raporteve të mediave lokale.
Zëvendësprokurori i San Diegos, Joel Madero, tha se krimet e supozuara kanë ndodhur në vitin 2024 dhe janë denoncuar nga një punonjës i kishës i cili vuri re mungesën e fondeve, sipas KGTV, një dege lokale e ABC.
Hana Shaleta u arrestua më 5 mars në aeroportin ndërkombëtar të San Diegos ndërsa po përpiqej të largohej nga SHBA-ja, sipas një deklarate të zyrës së sherifit.
Avokati i peshkopit tha në seancën e së hënës se Hana Shaleta po ndërmerrte një udhëtim të planifikuar drejt Gjermanisë.
Katolikët kaldeas njohin autoritetin e papës, por kryejnë ritet e tyre sipas liturgjisë së krishterë lindore. Në San Diego ka rreth 71,000 katolikë kaldeas, sipas statistikave të Vatikanit, shkruan Reuters.