Një 23-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në Gjirokastër pasi u kap duke transportuar me makinë 5 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Europian.
I riu, me inicialet F. D., u ndalua në flagrancë në vendin e quajtur “Ura e Glinës”. Sipas policisë, ai po i transportonte emigrantët me një automjet tip “Volksvagen” në drejtim të Tiranës.
Arrestimi erdhi pas kontrolleve dhe hetimeve të policisë së kufirit në zonë, të përqendruara në goditjen e rasteve të transportimit të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, që përdorin Shqipërinë si tranzit për të hyrë në vendet e BE-së.
Gjatë operacionit u sekuestruan edhe automjeti që përdorej për transportin dhe celulari i 23-vjeçarit.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë
“DVKM Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Tranzit”. U kap në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, 5 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht, kufijtë, arrestohet 23-vjeçari. Sekuestrohen automjeti dhe celulari i të arrestuarit. Në vijim të kontrolleve dhe hetimeve, të kryera me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të transportimit kundrejt pagesave, të emigrantëve nga vendet MENA, që synojnë të kalojnë në shtetet e BE-së, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë së Kufirit të Gjelbër, Kakavije, finalizuan operacionin e koduar “Tranzit”. Gjatë operacionit, u arrestua shtetasi F. D., 23 vjeç, banues në Durrës. Ai u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke transportuar me automjet tip “Volkswagen”, 5 emigrantë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme”
