
Kreu i PD-së Berisha tha në foltoren e përjavshme se mbrojtja që Rama e socialistët po i bëjnë Ballukut është akti më i rëndë e poshtërues për çdo shqiptar.
Ai u bëri thirrje intelektualëve që të reagojnë e të mos konformohen me regjimin e Edi Ramës.
“Sot, deputetët e partisë së krimit me në krye kreun e organizatës kriminale, Edi Rama, njoftuan atë, të cilën e priste dhe e dinte çdo shqiptar se ata do përdorin si mburojë Lubi Ballukun për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Ky është akti më i rëndë, më sfidant, më poshtërues, më fyes për çdo qytetar shqiptar. Në këtë kuadër unë kam një thirrje të veçantë, në radhë të parë për çdo intelektual shqiptar, të dalë nga guaska e konformizmit të tij. Të mos harrojë kurrë se ai investim i madh që kanë bërë shqiptarët për shkollimin e tij, që kanë bërë prindërit e tij për shkollimin e tij, ka qenë para së gjithash dhe mbi të gjithë që ai të jetë, pavarësisht nga profesioni, të jetë një avokat i pamposhtur i interesave të kombit të tij, i interesave të shoqërisë së tij, i interesave të publikut. U drejtohem me këtë rast dhjetëra mijëra mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve të këtij vendi, konformizmi me këtë regjim është mëkati më i madh i jetës. Nënshtrimi ndaj këtij regjimi është një gabim i pafalshëm.” – tha Berisha.