
Irani ka dërguar një “shkëndijë operacionale” të mundshme për të aktivizuar “asetet fjetëse” jashtë vendit pas sulmit të SHBA-së dhe Izraelit, sipas një mesazhi të koduar të përgjuar nga SHBA-ja.
Sinjali i koduar u dërgua pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem iranian, Ali Khamenei, më 28 shkurt. Mesazhi duket se përmban udhëzime për “operativë të fshehtë ose asete fjetëse”, raportoi ABC News, duke cituar një alarm federal dërguar agjencive të zbatimit të ligjit.
Mesazhi mund të ketë për qëllim “aktivizimin ose dhënien e udhëzimeve për asetet fjetëse të pozicionuara që veprojnë jashtë vendit të origjinës”, paralajmëroi alarmi. Inteligjenca amerikane ka diktuar një stacion transmetimi që transmeton vazhdimisht një mesazh në disa vende jashtë Iranit.
“Megjithëse përmbajtja e saktë e këtyre transmetimeve nuk mund të përcaktohet aktualisht, shfaqja e papritur e një stacioni të ri me karakteristika të ritransmetimit ndërkombëtar kërkon rritje të vigjilencës,” thuhej në memo.

Agjencitë e zbatimit të ligjit janë thirrur të rrisin mbikëqyrjen e frekuencave radiofonike të dyshimta. Ndonëse nuk ka kërcënime specifike të besueshme për publikun deri më tani, ekspertët e kundërzbulimit kanë paralajmëruar për mundësinë e sulmeve hakmarrëse në tokën amerikane si pasojë e luftës në Iran.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se agjentët e kundërterrorizmit janë vendosur në alarm të lartë dhe po punojnë 24/7 për të parandaluar çdo kërcënim potencial, shkruan NY Post.
Një ditë pas fillimit të luftës, 53-vjeçari Ndiaga Diagne nga Senegali hapi zjarr në një bar të mbushur në Austin, duke vrarë dy persona dhe plagosur 14 të tjerë. Hetuesit po shqyrtojnë nëse Diagne ishte i motivuar nga lufta në Iran, pasi i dyshuari mbante veshur një bluzë me flamurin iranian nën një bluzë me kapuç ku shkruhej “Property of Allah”.
Gjithashtu, dy adoleshentë nga Pensilvania dyshohet se hodhën një mjet shpërthyes në një protestë kundër Islamit në Nju Jork. Burime nga policia thanë se adoleshentët mund të kenë lidhje me ISIS-in.