
Pas përfundimit të luftës tetëvjeçare me Irakun në vitet 1980, Garda Revolucionare e Iranit u kthye nga fushëbetejat duke kërkuar pushtet më të madh brenda sistemit që ajo vetë mbrojti. Ajatollah Ali Khamenei ua plotësoi këtë kërkesë.
Sot, Garda ndodhet në një tjetër betejë ekzistenciale, këtë herë kundër SHBA-së dhe Izraelit. Udhëheqësi Suprem Khamenei ka vdekur, rangjet e larta të Gardës janë dërrmuar dhe selia qendrore e kësaj force është asgjësuar.
Megjithatë, nëse korpusi arrit të qëndrojë në këmbë pas bombardimeve, lufta thjesht mund të përshpejtojë një tipar përcaktues të Iranit revolucionar: ngritjen 40-vjeçare të Gardës si institucioni ushtarak parësor i Republikës Islamike, me pushtet të gjerë ekonomik dhe politik.
Garda, e njohur edhe si IRGC, ishte pothuajse një “shtet brenda shtetit” përpara luftës. Pasi ajo të përfundojë, disa njerëz të afërt me regjimin e Iranit besojnë se pak gjëra do ta frenojnë korpusin në formësimin e fazës së ardhshme të Republikës.
“Garda do të bëhet më e fuqishme — por jo vetëm ajo,” tha një person i brendshëm i regjimit. “Vetë Irani do të bëhet më i fortë, me një qasje dhe sjellje tjetër.” Duke këmbëngulur se nuk do të ketë “aventurizëm”, ai shtoi se drejtimi do të jetë i qartë: “Irani do të bëhet më agresiv”.

Garda është forca ushtarake elitare e Republikës, me një aparat të gjerë inteligjence, një rrjet biznesi të shtrirë dhe qindra mijëra personel. Si rezultat, kjo forcë dhe udhëheqësit e saj janë objektivat kryesore të bombave amerikane dhe izraelite. Aftësia e tyre për t’i bërë ballë këtij sulmi masiv do të jetë përcaktuesi kryesor nëse regjimi do të mbijetojë apo jo.
Që nga vrasja e Khameneit, një këshill udhëheqës prej tre anëtarësh — i përbërë nga Presidenti Masoud Pezeshkian, një klerik i lartë dhe kreu i gjyqësorit — po përpiqet të drejtojë vendin përmes tranzicionit.
Ky këshill koordinohet me forcat e armatosura, por ekspertët thonë se është Garda Revolucionare dhe ushtria ato që po udhëheqin përpjekjet e luftës. Pezeshkian, një reformist, u kërkoi falje shteteve të Gjirit për sulmet e së shtunës dhe tha se forcat iraniane do të ndalonin goditjen e tyre për sa kohë që sulmet ndaj Iranit nuk e kishin origjinën nga territoret e tyre. Megjithatë, sulmet ndaj fqinjëve arabë vazhduan me të njëjtin ritëm.
Edhe nën zjarr, Garda pritet të luajë një rol vendimtar në përzgjedhjen e Udhëheqësit të ardhshëm Suprem. Disa analistë iranianë, para shpërthimit të luftës, spekulonin se vdekja e Khameneit mund të nxisë ndryshime kushtetuese, sipas të cilave një figurë e lartë e Gardës Revolucionare mund të shfaqet si sundimtari efektiv i Republikës.
Por, me regjimin në një betejë për mbijetesë, fokusi i tyre mbetet te mbrojtja e Republikës. Një nga kandidatët kryesorë — djali i Khameneit, Mojtaba — ka kultivuar prej kohësh lidhje të ngushta me oficerët e lartë të korpusit.

Mbivendosja mes elitës ushtarake dhe asaj politike është e konsiderueshme. Shumë figura të larta janë veteranë të IRGC-së, përfshirë Ali Larijanin dhe kryeparlamentarin Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka marrë një rol gjithnjë e më protagonist.
Vali Nasr, një ish-zyrtar i SHBA-së tani në Universitetin “Johns Hopkins”, tha se Garda ndryshon nga ushtritë në Egjipt apo Pakistan, të cilat kanë shfaqur mospërfillje ndaj udhëheqësve civilë dhe kanë marrë kontrollin gjatë trazirave politike.
“Këtu SHBA-ja gabon në leximin e tyre, duke thënë vazhdimisht ‘ata do të përçahen, ata do të dezertojnë’,” tha Nasr. “Ata e shohin veten si mbrojtës të kësaj kushtetute dhe e konsiderojnë atë si të njëjtën gjë me sistemin.”
Sistemi unik teokratik i Iranit, në fuqi që nga revolucioni i vitit 1979, bazohet në doktrinën e Velayat-e Faqih, me rrënjë në islamizmin shiit, e cila përdoret për të justifikuar sundimin klerikal nën një Udhëheqës Suprem.
Udhëheqësi zgjidhet nga Asambleja e Ekspertëve, një trupë prej 88 klerikësh. Por ithtarët besojnë se ai në fund të fundit zgjidhet nga Zoti, dhe se të gjitha degët e shtetit, përfshirë ushtrinë, duhet t’i shërbejnë kësaj ideologjie.
Garda ishte mbrojtësja më e besuar e Khameneit për Republikën, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ndërtuan një rrjet proksish (forca të ndërmjetme), kryesisht militantë islamistë shiitë, në të gjithë rajonin.
“Gjithmonë i kam parë Gardën dhe klerikët, veçanërisht Udhëheqësin Suprem, si dy anë të së njëjtës monedhë,” tha Mohsen Milani, autor i librave mbi rivalitetin e Iranit me SHBA-në. “Mbase në të ardhmen do të ketë një ndarje, por për sa kohë ka luftë, nuk ka gjasa të shihni një ndryshim në natyrën apo misionin e IRGC-së.”
Megjithatë, ai shtoi se lufta e ka ndryshuar Iranin, me “Republikën Islamike që po hyn në territore të paeksploruara”.
Vendimet e kohës së luftës po merren nga Këshilli i Udhëheqjes dhe Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare, i kryesuar nga Pezeshkian, ndërsa sekretari i tij Larijani është një figurë kyçe në rangjet e larta të hierarkisë sunduese.
“Republika Islamike nuk është një ‘one-man show’; ajo është institucionalizuar, ka qendra të shumta pushteti me shtresa të shumta sigurie dhe inteligjence, dhe është projektuar qëllimisht që në fillim për t’i mbijetuar një sulmi të jashtëm,” tha Milani.

Sidoqoftë, Nasr tha se testi kritik do të jetë kur të vijë koha për “vendimin e madh”: a do ta ndalojmë luftën apo jo? Do të dorëzohemi apo jo? Do të pranojmë një armëpushim apo jo?
Ai shtoi: “Këto janë llojet e vendimeve që Khamenei mund t’i merrte i vetëm dhe sistemi do t’i bindej, por ky mund të jetë momenti ku do të testohet se si sistemi e menaxhon një vendim madhor pa të.”
Personi i brendshëm i regjimit tha se para luftës, udhëheqja kishte vendosur një kornizë se si do të vendosej nëse do të pajtoheshin për një armëpushim.
Gjatë dy viteve të fundit, Garda ka pësuar goditje dërrmuese nga Izraeli, përfshirë vrasjen e dhjetëra komandantëve të lartë në Iran, Siri dhe Liban. Thellësia e infiltrimit të inteligjencës izraelite në Republikë ka qenë gjithashtu një poshtërim.
Komandanti i tyre kryesor, Hossein Salami, u vra nga Izraeli në orët e para të luftës së qershorit, dhe pasardhësi i tij, Mohammad Pakpour, u vra një javë më parë në bombardimin e kompleksit të Khameneit në Teheran.

Zëvendëskreu i Gardës, Ahmad Vahidi, një veteran i luftës Iran-Irak, duket se po mbikëqyr operacionet, megjithëse nuk është emëruar zyrtarisht komandant dhe nuk është shfaqur në publik.
Por ata kanë treguar se ende zotërojnë aftësinë për të shkaktuar kaos në rajon, duke goditur me sukses bazat e SHBA-së, ambasadat, aeroportet dhe objektet energjetike, pavarësisht mbrojtjes së gjerë ajrore amerikane, si dhe duke lëshuar breshëri raketash dhe dronësh drejt Izraelit.
“Në këtë pikë, emrat kanë më pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që lufta po menaxhohet dhe vendi po qeveriset, gjë që tregon se një sistem i koordinuar po funksionon,” tha një tjetër burim nga regjimi. “Garda po tregon muskujt ndaj SHBA-së dhe Izraelit, dhe ata e shohin këtë si një arritje. Nuk janë të pakënaqur.”
“Ne do të jemi ata që do t’i japim fund kësaj lufte,” tha Amir Heydari, zëvendëskomandant i selisë Khatam ul-Anbia të Gardës, për televizionin shtetëror, në një paraqitje të rrallë televizive. “Do ta bëjmë këtë kur të ndiejmë se kemi imponuar vullnetin e kombit tonë mbi armikun dhe kemi marrë hak për udhëheqësin dhe popullin tonë dëshmor.”

Pyetja kritike mbetet se sa gjatë mund ta mbajë Garda këtë ritëm kundërpërgjigjeje. Milani tha se forcat më të moderuara të regjimit mund të përpiqen të shfrytëzojnë krizën për të rifituar ndikimin e tyre.
Por në praktikë, lufta ka rritur ndikimin e realiteteve ushtarake mbi vendimmarrjen. Një qëndrim kombëtar më i ashpër mund të formësojë trajektoren e ardhshme të Republikës.
Kur konflikti të përfundojë, nëse regjimi mbetet i paprekur, Garda pritet ta paraqesë rolin e saj si një fitore: duke i bërë ballë ushtrive më të avancuara në botë dhe duke garantuar mbijetesën e regjimit.
“Ata ka të ngjarë të argumentojnë se luftuan kundër superfuqisë së vetme të botës dhe makinës luftarake më të fuqishme të Lindjes së Mesme — dhe nuk kapitulluan,” përfundoi Milani, shkruan FT.