Vendosni fjalën kyçe....

Shembet një azil të moshuarish në Brazil, të paktën 6 të vdekur dhe disa të zhdukur


Një pjesë e një ndërtese ku funksiononte një azil për të moshuar është shembur në Belo Horizonte, kryeqyteti i shtetit Minas GeraisBrazil, duke shkaktuar të paktën gjashtë viktima, ndërsa disa persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, përcjell Euronews.

Sipas autoriteteve, ndërtesa katërkatëshe u shemb në orët e para të mëngjesit në lagjen Jardim Vitoria. Në momentin e ngjarjes brenda saj ndodheshin rreth 29 persona. Godina strehonte gjithashtu disa banesa të vogla dhe një klinikë bukurie, bëri të ditur departamenti i zjarrfikësve të Minas Gerais.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin disa persona të gjallë nga rrënojat. Tetë persona janë dërguar në spital, mes tyre edhe një fëmijë dyvjeçar, i cili u nxor nga rrënojat i vetëdijshëm dhe në gjendje të qëndrueshme. Disa të tjerë arritën të largohen me ndihmën e fqinjëve para se të mbërrinin ekipet e emergjencës.

Më shumë se 40 zjarrfikës, të ndihmuar nga qen shpëtimi dhe pajisje të specializuara, po vijojnë kërkimet për personat që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.

Shkaku i shembjes së ndërtesës mbetet ende i paqartë. Zyrtarët bëjnë të ditur se godina kishte lejet e nevojshme, ndërsa një hetim i plotë do të nisë pasi të përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.