Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thirrje për protestë më 12 mars: Rama premtoi pasaportë europiane, po u jep shqiptarëve atë serbe


Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar më 12 mars gjatë një konference për mediat nga selia blu, duke theksuar se qëllimi kryesor i protestës është largimi i menjëhershëm nga pushteti i kryeministrit Edi Rama.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha u ndal edhe te një letër që, sipas tij, është firmosur nga Rama së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke e cilësuar atë si një veprim që dëmton interesat e shqiptarëve.

Në këtë kontekst, letra e përbashkët që firmosi me padronin e tij Aleksandar Vuçiç, shqiptarëve që u premtoi pasaportën europiane u garanton pasaportën serbe dhe meriton të ndëshkohet me të gjitha format si tradhti e lartë kombëtare,” u shpreh Berisha.

Ai njoftoi se më 12 mars qytetarët do të mblidhen para Parlamentit në një protestë që ai e cilësoi si “kryengritje paqësore”.

Data 12 është data e kryengritësve paqësorë shqiptarë, në të cilën ata do të mblidhen para Parlamentit për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës,” deklaroi kreu i opozitës.

Sipas Berishës, protesta synon ndryshimin e situatës politike në vend dhe rikthimin e votës së lirë për qytetarët.

Kryengritja paqësore e shqiptarëve ka synim madhor shpëtimin e shqiptarëve nga ky regjim dhe rikthimin e votës së lirë tek ata. As një Lubi, as dhjetë Lubi nuk janë objektivat e kësaj kryengritjeje, objektivi është largimi i Edi Ramës me urgjencë,” përfundoi Berisha.