Vendosni fjalën kyçe....

Balluku reagon për herë të parë për hetimin e SPAK: Nuk kam as 300 apartamente e as limuzina, të vërtetat do t’i nxjerrë drejtësia


Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka reaguar për herë të parë ndaj hetimit që po zhvillon Prokuroria e Posaçme (SPAK) në ngarkim të saj.

Në një deklaratë për mediat, Balluku u shpreh se ndaj saj po zhvillohet një “gjyq publik”, ndërsa theksoi se çështjet juridike duhet të trajtohen nga drejtësia dhe jo në media apo rrjete sociale.

“Unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale, as në banka mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj siç e parashikon Kushtetuta apo ligji. Kam zgjedhur të mos analizoj, të mos komentoj dhe të jem konsistente në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë,” u shpreh ajo.

Balluku theksoi se në deklaratat e saj nuk ka pasur kundërthënie dhe shtoi se beson te drejtësia e re, duke e cilësuar atë si produkt të reformës në drejtësi të ndërmarrë nga qeveria.

“Nëse do t’i ktheheni deklaratave të mia, nuk do të gjeni kurrë një deklaratë që të kundërshtojë tjetrën. Besoj se drejtësia e re do të jetë e lirë dhe e pavarur, si produkt i vizionit të Edi Ramës. Ajo reformë u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë. Unë besoj te kjo drejtësi dhe nuk do ta anatemoj kur ajo prek interesat e mia personale,” tha ajo.

Ajo shtoi se nuk ka penguar asnjëherë hetimin e nisur nga SPAK, qoftë në cilësinë e saj si ministre apo si qytetare.

“Prokurorë e gjyqtarë do të bëjnë detyrat e tyre pa u ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Hetimin që ka nisur prej muajsh nuk e kam penguar kurrë, as në pozicionin tim si ministre dhe as si qytetare e Republikës. Le të vijojë të nxjerrë të vërtetën,” deklaroi Balluku.

Ish-zëvendëskryeministrja hodhi poshtë gjithashtu akuzat që qarkullojnë në publik për pasuri të shumta.

“Nuk kam as 300 dhe as 30 apartamente. Nuk kam as limuzina, as jahte dhe as helikopterë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet me shumë lehtësi,” tha ajo.

Balluku shtoi se është mësuar me sulme dhe gjykime publike që në fillimet e saj dhe se kjo nuk e pengon të vijojë punën e saj.

“Për të thënë të drejtën, unë jam rritur me gjyqe publike. Ndoshta kurrizi ma mban sepse jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton për shkak të rezultateve që kjo qeveri ka sjellë,” u shpreh ajo.