
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Catch 6”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan 6 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Sipas policisë, disa prej tyre ishin dënuar nga gjykata për vepra si prodhimi dhe shitja e narkotikëve, mbajtja pa leje e armëve, përndjekja dhe vjedhja, ndërsa të tjerë akuzohen për vjedhje dhe shkatërrim të rrjetit elektrik.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor “Catch 6” për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Kapën 6 shtetas në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në terren dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Catch 6”, kapën dhe vunë në pranga 6 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Kërkimin në DVP Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasin K. M., 32 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit, 9 muaj e 20 ditë burgim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën dhe ndaluan shtetasin M. N., 25 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Kërkimin, kapën dhe ndaluan shtetasin E. K., 24 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 10 muaj e 20 ditë burgim, për veprën penale “Përndjekja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 kapën dhe ndaluan shtetasin L. H., 43 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 kapën dhe ndaluan shtetasin Xh. A., 35 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasin në kërkim G. K., 22 vjeç, për veprat penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”. Ky shtetas iu dorëzua DVP Dibër, për veprime të mëtejshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.