Vendosni fjalën kyçe....

“Presidenti të zgjidhet direkt nga populli” – Miratohet propozimi i Osmanit, pritet votimi


Presidenti në Kosovë do zgjidhet nga populli. Deputetët do mblidhen në Kuvend sot për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së kreut të shtetit.

Komisioni për Legjislacion ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tani çështja ka avancuar dhe ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në seancë plenare.

Ndryshimet u miratuan me 6 vota pro. Dy deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës votuan kundër.

Presidentja Osmani njoftoi më herët se i kishte dërguar Kuvendit amendamentet kushtetuese me të cilat ka propozuar që presidenti të zgjidhet direkt me votë nga populli, shkruan Koha.

Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.

“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!” ka shkruar ajo në Facebook.