
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në një konferencë për shtyp prezantoi prioritetet për reformimin e shërbimit onkologjik në nivel kombëtar, duke e cilësuar vitin 2026 si nisjen e një reforme historike për sistemin spitalor shqiptar.
Ajo njoftoi krijimin e Institutit Kombëtar të Kancerit dhe të Rrjetit Kombëtar të Tumoreve, si dhe paralajmëroi një analizë të plotë të situatës aktuale në këtë shërbim.
“Brenda vitit përfundon rikualifikimi i 6 pikave rajonale dhe po punohet edhe për rikualifikimin e 6 pikave të tjera, si dhe instalohet Akseleratori 3 Linear në Shërbimin Onkologjik”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, pritet gjithashtu zgjerimi i bashkëpunimit me International Atomic Energy Agency për shërbimin e PET scan.
Ministrja Sala bëri të ditur se në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza është marrë vendimi për ngritjen e qendrës së gjirit, me trajtim në qendra multidimensionale për pacientët e prekur nga kanceri i gjirit.
“2026 shënon nisjen e një reforme historike për sistemin spitalor shqiptar. Ngrihet grup pune multisektorial me përfshirjen e ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë për hartimin e Planit Kombëtar Spitalor. Prioritet është përgatitja e ndryshimeve për Komitetin Këshillimor dhe finalizimi i kuadrit institucional për vendimmarrje të bazuar në evidence, si dhe hartëzimi i situatës aktuale të sistemit spitalor: performanca, kapacitetet reale, shpërndarja gjeografike e shërbimeve dhe nevojat demografike”, tha ajo.