Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës plenare, por në rendin e ditës nuk është përfshirë shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj.
Më herët, burime nga mazhoranca kishin bërë me dije se votimi për imunitetin e Ballukut mund të zhvillohej në seancën e 5 marsit, por çështja nuk figuron në agjendën zyrtare të publikuar nga Kuvendi.
Nga ana procedurale, nëse Kuvendi nuk mban një qëndrim brenda tre muajve nga depozitimi i kërkesës nga Prokuroria e Posaçme, ajo konsiderohet e rrëzuar automatikisht. Kërkesa e SPAK është dorëzuar më 16 dhjetor, çka do të thotë se afati përfundon më 16 mars.
Sipas rendit të ditës të miratuar me urdhrin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, seanca përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftime, dy seanca pyetje–përgjigje me ministrat përkatës, si dhe shqyrtimin e disa projektligjeve, mes tyre ndryshime në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar, ratifikimin e një marrëveshjeje huaje me KfW për programin “Infrastruktura bashkiake V – faza II”, projektligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe ndryshime në ligje që lidhen me kontrollin e mallrave ushtarake, taksat kombëtare dhe financat e vetëqeverisjes vendore.
Në fund të seancës parashikohen edhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.