Vendosni fjalën kyçe....

“Do i shkojmë deri në fund, kërkojmë përjashtimin e Ballës”  – Tabaku


Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha pas përfundimit të seancës se opozita do kërkojë përjashtimin e kreut të grupit parlamentar të PS-së Balla lidhur me deklaratën e tij në Kuvend ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi.

Ajo dënoi deklaratat e Ballës, i cili në seancë i tha Vokshit se për të kishte “numrin 0900”.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nesër do të dërgojë kërkesën për përjashtimin e zotit Balla. Ne jemi të sigurt që zoti Peleshi përsëri nuk do të jetë mbi palët. Jemi të sigurt që nuk do të merret asnjë masë, por pavarësisht kësaj, ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj, ashtu siç do t’i shkojmë deri në fund të gjithë betejave që opozita ka në këtë parlament”, tha Tabaku.

Më herët në Kuvend, Tabaku tha se deklarata e Ballës kishte kaluar çdo kufi në 13 vitet e saj si deputete.

“Zoti kryetar, që të ofendohet një kolege në këtë nivel, nuk ka arritur asnjëherë në këtë sallë të paktën në 12 vite që unë jam këtu. Është cënuar dinjiteti i një kolegeje. Ju rrini gjithë ditën mburreni sesi po fuqizoni gratë dhe kështu po i fuqizoni gratë? Kjo që ju bëtë u përplaset në fytyrë fëmijëve e nënave. Unë nuk do e doja që fëmijët e mi të dëgjonin atë shprehje. I bëj thirrje kolegeve socialiste që të mos ndahemi për këtë çështje. Të bashkohemi dhe të mbështesim një kolege. Dënoni aktin kryetar. Më pas të kërkohet ndjesë ashtu si e meriton zonja, jo të justifikohet. Për opozitën keni marrë masa të menjëhershme, kanë dalë deputetë nga salla. Merrni masa që Vokshi kur të kthehet në shtëpi te vajzat, të mos i thonë ‘pse u tha ajo shprehje’. Kush do e donte këtë në shtëpitë tuaja?”, tha Tabaku.