
Takimi i tretë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një marrëveshje për emrin e presidentit të ri të vendit.
Takimi, që zgjati rreth një orë, u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës, në një moment kur vendi po i afrohet afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit. Pas përfundimit të bisedës, Kurti deklaroi se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive, por pa dhënë detaje për ndonjë dakordim konkret.
“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do t’iu njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet, mirëpo do t’iu njoftojmë së shpejti”, tha ai.
Ky është takimi i tretë brenda pak ditësh mes liderit të Vetëvendosjes dhe Abdixhikut, ndërsa përpjekjet për të gjetur një emër konsensual për presidentin vijojnë. Një ditë më parë, Kurti theksoi se vendit i duhet një kandidat që siguron 84 deri në 85 vota në kuti, duke shtuar se do të punojë për të shmangur zgjedhjet e reja.
Nga ana tjetër, Abdixhiku është shprehur se e sheh të vështirë arritjen e një konsensusi politik në këtë fazë. Ai ka theksuar se LDK-ja nuk ka qëndrime refuzuese ndaj asnjë kandidati, përfshirë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021, në raundin e tretë të votimit, pasi në dy raundet e para nuk kishte arritur të siguronte 80 votat e nevojshme. Në votimin e tretë ajo mori 71 vota, ndërsa LDK-ja siguroi kuorumin duke qëndruar në sallë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Kandidatët duhet të sigurojnë 30 nënshkrime deputetësh për të hyrë në garë dhe për t’u zgjedhur kërkohet shumica prej dy të tretave të votave në dy raundet e para. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e nevojshme, zhvillohet një raund i tretë mes dy kandidatëve më të votuar. Nëse edhe në këtë raund nuk zgjidhet presidenti, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.