
Kryetari i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Shqipërisë, Gazment Bardhi, iu përgjigj deklaratave të Taulant Balla, i cili i bëri thirrje opozitës të distancohet nga aktet e dhunës gjatë protestave dhe rikujtoi incidentin me molotov ndaj vilës së Enver Hoxha, ku në atë moment ndodheshin artistë.
Në reagimin e tij, Bardhi kundërshtoi akuzat dhe theksoi se opozita nuk kishte qenë në dijeni se vila ishte dhënë në administrim një fondacioni francez. Sipas tij, ishte pikërisht protesta e 28 shkurtit ajo që nxori në pah këtë fakt, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si, sipas tij, kryeministri menaxhon dhe shpërndan pronat publike.
Bardhi shtoi se çështja nuk lidhet me aktet e dhunës, por me transparencën dhe përdorimin e pasurive shtetërore, duke akuzuar qeverinë për favore dhe mungesë llogaridhënieje në vendimmarrje.
“Meqë kërkoi që të distancohen nga dhuna, po ne distancohemi nga dhuna e korrupsionit, nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar, ne distancohemi nga çdo normalizim i një situate që po e çon Shqipërinë shumë hapa pas. Të vish në foltore të marrësh fjali të kreut të komisionit të jashtëm të PE dhe të injorosh një fjalim ku i kërkohet kësaj mazhorance të distancohet nga korrupsioni i Ballukut dhe të mos vonojë heqjen e imunitetit dhe përballjen e saj me drejtësinë, duhet të kesh parasysh që ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u desh protesta e datës 28 që ta mësonim ne dhe shqiptarët”, – tha Bardhi.