Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Klima e biznesit po përkeqësohet, investitorët e huaj po humbin besimin



Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku analizon situatën e investimeve të huaja në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit dhe rënien e besimit të investitorëve ndërkombëtarë.

Sipas saj, “barra më e madhe për biznesin e ndershëm është vetë shteti”, duke theksuar se problemi nuk lidhet vetëm me rritjen e taksave, por me një qasje selektive dhe diskriminuese ndaj sipërmarrjes së ndershme.

Tabaku argumenton se ndryshimet e shpeshta të legjislacionit, miratimi i akteve të posaçme për interesa të caktuara dhe favorizimi i sektorëve apo kompanive të përzgjedhura kanë deformuar tregun dhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë.

“Sa më korrekt të jesh me shtetin, aq më shumë goditesh prej tij. Kjo është taksa e të ndershmëve”, shprehet ajo, duke akuzuar administratën tatimore, doganat dhe inspektoratet për ushtrim presioni ndaj bizneseve transparente. Sipas Tabakut, ekonomia është përqendruar në pak duar përmes tenderave, koncesioneve dhe favoreve të njëanshme.

Në reagimin e saj, ajo i referohet edhe një raporti të investitorëve të huaj, i cili – sipas saj – ka ulur vlerësimin për klimën e biznesit nga 100 në 45 pikë, duke evidentuar pasigurinë ligjore dhe selektivitetin në ekonomi si problematika kryesore.

Deputetja demokrate paralajmëron se çdo investitor i huaj që vendos të mos vijë në Shqipëri apo të largohet prej saj përkthehet në më pak vende pune, më shumë korrupsion dhe produkte me cilësi më të dobët për qytetarët.

“Një investitor që largohet, shkon në rajon. Shqipëria humbet punësim, humbet konkurrencë, humbet zhvillim,” thekson Tabaku.

Në përfundim, ajo bën thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes ndaj ekonomisë, duke kërkuar ndërtimin e një modeli që, sipas saj, i shërben shumicës së qytetarëve dhe jo pak interesave, si dhe rikthimin e konkurrencës, transparencës dhe barazisë para ligjit në klimën e biznesit në vend.