Vendosni fjalën kyçe....

Njësia e udhëhequr nga ushtria amerikane ndihmoi Meksikën në gjuetinë e ‘El Menchos’


Një njësi e re operacionale e udhëhequr nga ushtria e Shtetet e Bashkuara ka kontribuar me inteligjencë në operacionin e forcave meksikane që përfundoi me vrasjen e bosit të njohur të drogës, Nemesio Oseguera, i njohur si “El Mencho”, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes që foli për Reuters.

Struktura në fjalë, e quajtur Joint Interagency Task Force–Counter Cartel (JITF-CC), u krijua zyrtarisht muajin e kaluar dhe përfshin disa agjenci federale amerikane. Misioni i saj është të identifikojë dhe hartëzojë rrjetet e karteleve në të dy anët e kufirit SHBA-Meksikë, me synim çmontimin e strukturave drejtuese dhe logjistike të tyre.

Zyrtari amerikan theksoi se bastisja ishte operacion i mirëfilltë i ushtrisë meksikane, por konfirmoi se grupi i ri kishte ofruar informacion mbështetës. Një ish-zyrtar i SHBA-së, gjithashtu në kushte anonimiteti, deklaroi se autoritetet amerikane kishin përgatitur një dosje të detajuar objektivash për El Mencho-n dhe ia kishin vënë në dispozicion qeverisë meksikane. Sipas tij, Oseguera ishte ndër prioritetet më të larta në listën amerikane të objektivave në Meksikë.

Operacioni u zhvillua në shtetin perëndimor të Jalisco dhe shkaktoi përplasje të dhunshme në disa rajone, me automjete të djegura dhe bllokime rrugësh nga grupe të armatosura. Ministria e Mbrojtjes e Meksikës konfirmoi se kishte marrë “informacion plotësues” nga SHBA-ja, por theksoi se planifikimi dhe ekzekutimi i operacionit ishte ekskluzivisht meksikan dhe pa përfshirje fizike të personelit amerikan.

Oseguera, 59 vjeç, ish-polic, konsiderohej figura qendrore e Cartel Jalisco Nueva Generación (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë dhe me shtrirje ndërkombëtare. Për vite me radhë ai i shpëtoi arrestimit, pavarësisht një shpërblimi prej 15 milionë dollarësh të ofruar nga SHBA për informacion që do të çonte në kapjen e tij.

Eliminimi i tij përbën një goditje të rëndësishme në luftën kundër trafikut të kokainës dhe fentanilit drejt SHBA-së. Administrata e presidentit Donald Trump ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë së presidentes meksikane Claudia Sheinbaum për të intensifikuar operacionet kundër karteleve, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndërhyrjes më të drejtpërdrejtë amerikane.

Informacioni publik mbi JITF-CC mbetet i kufizuar. Sipas deklarimeve zyrtare, qëllimi i saj është të “identifikojë, ndërpresë dhe shkatërrojë” operacionet e karteleve që përbëjnë kërcënim për SHBA-në. Gjeneral-brigade amerikan Maurizio Calabrese, drejtues i grupit, ka shpjeguar se përvoja e ushtrisë amerikane në luftën kundër organizatave si al-Qaeda dhe Islamic State po përdoret për të analizuar strukturat e karteleve, ndonëse ai thekson se motivimet dhe modus operandi i tyre janë të ndryshme.

Sipas Calabrese, megjithëse bërthama drejtuese e një karteli mund të përbëhet nga disa qindra individë, rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe kontraktorëve të pavarur që mundësojnë trafikun e drogës mund të arrijë në 200,000–250,000 persona.

Ndërkohë, ish-zyrtari i lartë i Drug Enforcement Administration, Jack Riley, ka argumentuar se përcaktimi i disa karteleve si organizata terroriste ka zgjeruar hapësirën ligjore për mbështetje ushtarake dhe përdorim të kapaciteteve të avancuara të vëzhgimit e zbulimit nga SHBA-ja.

Një zyrtar tjetër i mbrojtjes theksoi se task-forca e re është pjesë e një strategjie më të gjerë që përfshin rritjen e rolit operacional të ushtrisë amerikane në kufirin me Meksikën, si dhe operacione të shpeshta kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor. Sipas tij, objektivi është koordinimi i plotë ndërinstitucional për të shmangur fragmentimin e përpjekjeve dhe për të sinkronizuar burimet në një front të përbashkët kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, shkruan Reuters.