
Një konsorcium i drejtuar nga Global Infrastructure Partners, që tashmë është pjesë e BlackRock, në partneritet me fondin suedez të kapitalit privat EQT AB, ka arritur marrëveshje për të blerë gjigantin amerikan të energjisë AES Corp në një transaksion me vlerë totale 33.4 miliardë dollarë, përfshirë borxhin. Ky konsiderohet një nga operacionet më të mëdha të viteve të fundit në sektorin energjetik.
Njoftimi i bërë publik të hënën vjen në një valë konsolidimi në industri, ku investitorët institucionalë po orientohen drejt aktiveve energjetike me flukse të qëndrueshme, në një kohë kur kërkesa për energji po rritet ndjeshëm për shkak të zgjerimit të inteligjencës artificiale dhe qendrave të të dhënave. Transaksione të tjera të rëndësishme përfshijnë blerjen e TXNM Energy nga Blackstone për 11.5 miliardë dollarë dhe marrjen e Calpine nga Constellation Energy për 16.4 miliardë dollarë.
Sipas Administrata e Informacionit të Energjisë, konsumi i energjisë elektrike në SHBA ka arritur një rekord të ri në vitin 2025 dhe pritet të vijojë në rritje gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm. Kompanitë e mëdha të shërbimeve publike po rrisin investimet në kapacitete të reja prodhuese dhe infrastrukturë rrjeti, për të përballuar kërkesën e shtuar nga data center-at që mbështesin aplikacionet e AI.
Sipas marrëveshjes, konsorciumi do të paguajë 15 dollarë për aksion në para në dorë, duke e vlerësuar kapitalin e AES në rreth 10.7 miliardë dollarë. Mbyllja e transaksionit pritet në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027. Oferta përfaqëson një zbritje prej 13% krahasuar me çmimin e fundit të mbylljes, por një premium prej 35.5% kundrejt nivelit të 8 korrikut, para se të dilnin raportimet e para për një blerje të mundshme.
Pas njoftimit, aksionet e AES ranë me mbi 17% në fillim të tregtimit, duke arritur nivelin më të ulët që nga fundi i janarit. Kompania paralajmëroi se, në mungesë të një marrëveshjeje, do të ishte detyruar të reduktonte ose eliminonte dividentin, ose të realizonte rritje të konsiderueshme kapitali për të përballuar strukturën e saj të borxhit.
Transaksioni përfshin tarifa reciproke ndërprerjeje: konsorciumi mund të paguajë nga 100 milionë deri në rreth 588 milionë dollarë, ndërsa AES rreth 321 milionë dollarë, sipas kushteve të përcaktuara. Njësitë e kompanisë në Indiana dhe Ohio do të vazhdojnë të operojnë dhe menaxhohen në nivel lokal.
Në konsorcium marrin pjesë edhe California Public Employees’ Retirement System dhe Qatar Investment Authority. GIP ka forcuar pozicionin e saj në sektorin e shërbimeve publike, përfshirë marrëveshjen prej 6.2 miliardë dollarësh për ta kthyer Allete në kompani private në bashkëpunim me CPP Investments në vitin 2024.
Deri më 31 dhjetor, borxhi neto i AES arrinte në 27.56 miliardë dollarë, çka e bën aksesin në kapital privat një element kyç për strategjinë e saj të ardhshme të investimeve, shkruan Reuters.