Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata në SHBA s’do shqyrtojë përplasjen mbi të drejtat e autorit për materialet nga AI


Gjykata e Lartë e SHBA vendosi të mos e marrë në shqyrtim çështjen që synonte të sqaronte nëse veprat artistike të krijuara nga inteligjenca artificiale mund të gëzojnë mbrojtje sipas ligjit amerikan për të drejtat e autorit. Me këtë vendim, u la në fuqi refuzimi ndaj kërkesës së një shkencëtari kompjuterik nga Misuri, të cilit i ishte mohuar regjistrimi i së drejtës së autorit për një imazh të prodhuar nga sistemi i tij AI.

Paditësi, Stephen Thaler, e kishte çuar çështjen në instancën më të lartë pasi gjykatat federale më të ulëta mbështetën qëndrimin e Zyra e të Drejtave të Autorit e SHBA. Institucioni kishte arritur në përfundimin se një vepër e krijuar ekskluzivisht nga inteligjenca artificiale nuk kualifikohet për mbrojtje, për shkak të mungesës së një autori njerëzor.

Në vitin 2018, Thaler aplikoi për regjistrimin federal të veprës “A Recent Entrance to Paradise”, për të cilën pretendoi se ishte gjeneruar në mënyrë autonome nga sistemi i tij “DABUS”. Imazhi paraqet shina treni që përfundojnë në një portal, të rrethuara nga elemente që ngjasojnë me forma bimore në nuanca jeshile dhe vjollcë. Në vitin 2022, Zyra e të Drejtave të Autorit e refuzoi kërkesën, duke theksuar se autorësia njerëzore është parakusht për mbrojtjen ligjore.

Administrata e presidentit Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të mos pranonte apelimin e Thaler, duke argumentuar se dispozitat e Aktit për të Drejtat e Autorit, edhe pse nuk e përkufizojnë shprehimisht termin “autor”, e presupozon atë si person fizik dhe jo si makinë.

Në vitin 2023, një gjykatës federal në Uashington konfirmoi vendimin e zyrës, duke e cilësuar autorësinë njerëzore si një “kërkesë themelore” të sistemit të të drejtave të autorit. Ky qëndrim u riafirmua në vitin 2025 nga Gjykata e Apelit e SHBA për Qarkun e Distriktit të Kolumbisë.

Thaler e cilësoi çështjen si me “rëndësi të jashtëzakonshme”, duke theksuar zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale gjeneruese. Sipas avokatëve të tij, edhe nëse në të ardhmen gjykatat do të ndryshojnë qasjen ndaj interpretimit të autorësisë, dëmi ndaj industrisë krijuese dhe inovacionit në fushën e AI mund të jetë tashmë i pakthyeshëm.

Në raste të ndara, Zyra e të Drejtave të Autorit ka refuzuar gjithashtu kërkesa për mbrojtje mbi imazhe të krijuara me sistemin Midjourney. Në këto raste, artistët argumentonin se kishin luajtur rol krijues në proces, ndryshe nga pozicioni i Thaler, i cili pretendonte se sistemi i tij kishte vepruar në mënyrë të pavarur, shkruan Reuters.

Gjykata e Lartë më herët kishte refuzuar edhe një tjetër kërkesë të Thaler, këtë herë në lidhje me patentat për shpikje të pretenduara si të krijuara nga AI. Aplikimet për mbrojtje patentore u hodhën poshtë nga Zyra e Patentave dhe Markave Tregtare e SHBA, me arsyetimin se vetëm një shpikës njerëzor mund të njihet si autor i një patente sipas legjislacionit amerikan.