
Izraeli shpenzoi vite duke hakuar kamerat e trafikut në Teheran dhe duke monitoruar truprojat përpara vrasjes së liderit suprem të Iranit
Kur truprojat dhe shoferët e trajnuar mirë dhe besnikë të zyrtarëve të lartë iranianë vinin në punë pranë rrugës “Pasteur” në Teheran, ku Ayatollah Ali Khamenei u vra në një sulm ajror izraelit të shtunën, izraelitët po i vëzhgonin.
Sipas dy personave të njohur me çështjen, pothuajse të gjitha kamerat e trafikut në Teheran ishin hakeruar prej vitesh, pamjet e tyre ishin enkriptuar dhe transmetuar në serverët në Tel Aviv dhe në jug të Izraelit.
Njëra kamerë kishte një kënd që doli veçanërisht i dobishëm, sipas një prej burimeve, duke u lejuar atyre të përcaktonin se ku preferonin t’i parkonin makinat e tyre personale personat në shënjestër dhe duke ofruar një dritare mbi funksionimin e një pjese të rëndomtë të kompleksit rreptësisht të ruajtur.
Algoritme komplekse shtuan hollësi në dosjet e anëtarëve të këtyre rojeve të sigurisë, duke përfshirë adresat e tyre, orët e shërbimit, rrugët që ndiqnin për në punë dhe, më e rëndësishmja, se cilin ishin caktuar zakonisht të mbronin dhe transportonin – duke ndërtuar atë që oficerët e inteligjencës e quajnë “model jetese”.
Këto aftësi ishin pjesë e një fushate inteligjence shumëvjeçare që ndihmoi në hapjen e rrugës për vrasjen e Ajatollahut. Ky burim i të dhënave në kohë reale – një nga qindra rrjedhat e ndryshme të inteligjencës – nuk ishte e vetmja mënyrë se si Izraeli dhe CIA ishin në gjendje të përcaktonin saktësisht se në çfarë kohe 86-vjeçari Khamenei do ishte në zyrat e tij mëngjesin e kobshëm të së shtunës dhe kush do t’i bashkohej atij.
As fakti që Izraeli ishte gjithashtu në gjendje të ndërpriste komponentë të rreth një duzinë kullash të telefonisë celulare pranë rrugës “Pasteur”, duke i bërë telefonat të dukeshin sikur ishin të zënë kur telefonoheshin dhe duke penguar ekipin e mbrojtjes së Khamenei-t të merrte paralajmërime të mundshme.
Shumë kohë përpara se të binin bombat, “ne e njihnim Teheranin ashtu siç njohim Jeruzalemin”, tha një zyrtar aktual i inteligjencës izraelite.
“Dhe kur e njeh një vend po aq mirë sa rrugën ku u rrite, vëren edhe një gjë të vetme që është jashtë vendit të vet.”

Pasqyra e dendur e inteligjencës për kryeqytetin e armikut kryesor ishte rezultat i mbledhjes së mundimshme të të dhënave, e bërë e mundur nga njësia sofistikuar e inteligjencës së sinjaleve Unit 8200, asetet njerëzore të rekrutuara nga agjencia e saj e inteligjencës së jashtme Mossad dhe malet me të dhëna të përpunuara nga inteligjenca ushtarake në raporte ditore.
Izraeli përdori një metodë matematikore të njohur si “analiza e rrjetit social” për të analizuar miliarda pika të dhënash për të zbuluar qendra të pamundshme të gravitetit të vendimmarrjes dhe për të identifikuar objektiva të rinj për t’u vëzhguar dhe vrarë, tha një person i njohur me përdorimin e saj. E gjithë kjo ushqente një linjë montimi me një produkt të vetëm: objektivat.
“Në kulturën e inteligjencës izraelite, inteligjenca e shënjestrimit është çështja më thelbësore taktike — ajo është krijuar për të mundësuar një strategji,” tha Itai Shapira, një Gjeneral Brigade në rezervat ushtarake izraelite dhe veteran 25-vjeçar i drejtorisë së saj të inteligjencës.
“Nëse vendimmarrësi vendos që dikush duhet të vritet, në Izrael kultura është: ‘Ne do të ofrojmë inteligjencën e shënjestrimit’.”
Izraeli ka vrarë qindra njerëz jashtë shtetit, duke përfshirë liderë militantë, shkencëtarë bërthamorë, inxhinierë kimikë — dhe shumë kalimtarë të pafajshëm. Por edhe me vrasjen e një udhëheqësi politik dhe fetar aq të shquar sa Khamenei, debatohet ashpër brenda dhe jashtë Izraelit se sa ky përdorim agresiv dhe dekadash i aftësive të tij teknologjike dhe teknike ka hapur rrugën për përfitime të mëdha strategjike.
Superioriteti i inteligjencës së vendit ishte në shfaqje të plotë në luftën 12-ditore të qershorit të kaluar, kur më shumë se një duzinë shkencëtarësh bërthamorë iranianë dhe zyrtarë të lartë ushtarakë u vranë brenda pak minutash në një breshëri hapëse të sulmit.
Kjo ishte shoqëruar nga një paaftësim i paprecedentë i mbrojtjes ajrore të Iranit përmes një kombinimi të sulmeve kibernetike, dronëve me rreze të shkurtër dhe municioneve precize të lëshuara nga jashtë kufijve të Iranit, duke shkatërruar radarët e lëshuesve të raketave të prodhimit rus.
“Ne fillimisht i qorruam,” tha një zyrtar i inteligjencës. Si në luftën e qershorit ashtu edhe tani, pilotët izraelitë kanë përdorur një lloj të veçantë rakete të quajtur “Sparrow”, variantet e së cilës janë në gjendje të godasin një objektiv aq të vogël sa një tavolinë ngrënieje nga më shumë se 1,000 km largësi – larg Iranit dhe rrezes së çdo sistemi të mbrojtjes së tij ajrore.
Jo të gjitha detajet e operacionit të fundit dihen. Disa mund të mos bëhen kurrë publike, me qëllim mbrojtjen e burimeve dhe metodave që ende përdoren për të gjurmuar objektiva të tjerë.
Por vrasja e Khamenei-t ishte një vendim politik, jo thjesht një arritje teknologjike, thanë më shumë se gjysmë duzinë zyrtarësh aktualë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës izraelite të intervistuar për këtë shkrim.
Kur CIA dhe Izraeli përcaktuan se Khamenei do mbante një takim të shtunën në mëngjes në zyrat e tij pranë rrugës “Pasteur”, mundësia për ta vrarë atë së bashku me aq shumë nga udhëheqja e lartë e Iranit ishte veçanërisht e volitshme.

Ata vlerësuan se gjurmimi i tyre pasi të kishte filluar lufta siç duhet do ishte shumë më i vështirë, pasi iranianët do nisnin shpejt praktikat evazive, duke përfshirë drejtimin drejt bunkerëve nëntokësorë imunë ndaj bombave izraelite.
Khamenei, ndryshe nga aleati i tij, lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nuk jetonte i fshehur. Nasrallah kishte kaluar vite të jetës së tij në bunkerë nëntokësorë, duke u shpëtuar disa tentativave izraelite për vrasje deri në shtator 2024, kur avionët luftarakë izraelitë hodhën rreth 80 bomba mbi vendfshihjen e tij në Bejrut, duke e vrarë atë.
Në vend të kësaj, Khamenei kishte reflektuar publikisht mbi mundësinë e vrasjes së tij, duke e cilësuar jetën e tij si të parëndësishme për fatin e republikës islamike – në fakt, disa ekspertë të Iranit thanë se ai priste të bëhej dëshmor.
Por gjatë kohës së luftës, tha një nga njerëzit e intervistuar, ai mori disa masa paraprake.
“Ishte e pazakontë për të që të mos ishte në bunkerin e tij — ai kishte dy bunkerë — dhe nëse do të kishte qenë atje, Izraeli nuk do të kishte mundësi ta arrinte me bombat që disponon,” tha personi.
Edhe në qershor 2025, në kulmin e një lufte të plotë, Izraeli nuk bëri asnjë përpjekje të njohur për të bombarduar Khamenei-n. Në vend të kësaj, ai kishte shënjestruar kryesisht udhëheqjen e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane, lëshuesit dhe magazinat e raketave, si dhe objektet dhe shkencëtarët bërthamorë të Iranit.
Ndërsa Donald Trump kishte kërcënuar vazhdimisht se do të sulmonte Iranin në javët e fundit, duke grumbulluar një “armatë” pranë brigjeve të tij, negociatat midis SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor të republikës islamike ishin planifikuar të vazhdonin këtë javë.
Ndërmjetësi Omani tha se Irani ishte i gatshëm të bënte lëshime që mund të ndihmonin në shmangien e një lufte, dhe e përshkroi takimin më të fundit të enjten e kaluar si të frytshëm.
Në publik, presidenti i SHBA-së u ankua se gjërat po lëviznin shumë ngadalë. Por një person i njohur me çështjen tha se, privatisht, Trump ishte “i pakënaqur me përgjigjet iraniane”, duke hapur rrugën për luftë.
Një person i informuar mbi operacionin tha se sulmi ndaj Iranit ishte planifikuar prej muajsh, por zyrtarët e rregulluan operacionin e tyre pasi inteligjenca amerikane dhe ajo izraelite konfirmuan se Khamenei dhe zyrtarët e tij të lartë do të mblidheshin në kompleksin e tij në Teheran të shtunën në mëngjes.
Gjurmimi i objektivave individualë dikur ishte punë e mundimshme, që kërkonte konfirmime vizuale dhe analizimin e konfirmimeve të rreme, por mbledhja e gjerë e të dhënave e drejtuar nga algoritmet e Izraelit e kishte automatizuar këtë detyrë në vitet e fundit.
Por për një objektiv me vlerë aq të lartë sa Khamenei, dështimi nuk ishte opsion. Doktrina ushtarake izraelite kërkon që dy oficerë të lartë të veçantë, duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, të konfirmojnë me siguri të lartë se një objektiv është në vendndodhjen që do të sulmohet dhe me kë shoqërohet.
Në këtë rast, sipas dy personave të njohur me çështjen, inteligjenca izraelite kishte informacione nga inteligjenca e sinjaleve, si kamerat e hakeruara të trafikut dhe rrjetet e penetruara thellë të telefonisë celulare. Një nga burimet tha se kjo tregonte se takimi me Khamenei-n ishte sipas planit, me zyrtarët e lartë që po drejtoheshin për në vendndodhje.

Por amerikanët kishin diçka edhe më konkrete — një burim njerëzor, thanë të dy personat e njohur me situatën. CIA refuzoi të komentonte.
Kjo u lejoi avionëve izraelitë, të cilët kishin fluturuar për orë të tëra me qëllim që të mbërrinin në kohë në vendin e duhur, të lëshonin deri në 30 municione precize, tha ish-zyrtari i lartë i inteligjencës izraelite.
Ushtria izraelite shtoi se goditja në dritën e diellit ofroi një avantazh.
“Vendimi për të goditur në mëngjes dhe jo natën i lejoi Izraelit të arrinte surprizën taktike për herë të dytë, pavarësisht gatishmërisë së madhe iraniane,” tha ajo.
Suksesi taktik ishte kulmi i dy ngjarjeve të veçanta, me më shumë se 20 vjet diferencë, tha Sima Shine, një ish-zyrtare në Mossad e fokusuar te Irani.
E para ishte një direktivë e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryeministri Ariel Sharon për Meir Dagan, kreun e atëhershëm të Mossad-it — i cili ishte i preokupuar me Sirinë, militantët palestinezë, Hezbollahun në Liban dhe të tjerë — për ta bërë Iranin prioritet.
“‘Të gjitha gjërat që po bën Mossad-i janë shumë mirë,’” i tha Sharon Dagan-it, sipas Shine.
“‘Ajo që më duhet është Irani. Ky është objektivi yt.’”
“Dhe që atëherë, ky është objektivi,”.
Izraeli kishte sabotuar programin bërthamor të Iranit, kishte vrarë shkencëtarët e tij, kishte luftuar aleatët e tij dhe madje kishte shkatërruar infrastrukturën ushtarake të aleatit të tij kryesor Sirisë, në ditët pasi diktatori Bashar al-Assad u rrëzua.
Por agjencitë iraniane të inteligjencës ishin kundërshtarë të rrezikshëm.
Në vitin 2022, një grup i lidhur me shërbimet iraniane të sigurisë publikoi të dhëna që thuhej se ishin nxjerrë nga një telefon që i përkiste gruas së shefit të Mossad-it. Irani gjithashtu hakeruar kamerat CCTV në Jeruzalem gjatë luftës së vitit 2025 për të marrë vlerësime të dëmeve në kohë reale që izraelitët i kishin censuruar nga transmetimi; bleu fotografi të mbrojtjes raketore; dhe madje mapoi rrugën e vrapimit të një politicieni të rëndësishëm duke korruptuar qytetarë izraelitë, sipas prokurorëve izraelitë.
Ngjarja e dytë, shtoi Shine, ishte sulmi ndërkufitar i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, për të cilin Izraeli pretendon se u mbështet nga Irani dhe i cili ndryshoi një kalkulim të kahershëm në Izrael: se pavarësisht se kishin depërtuar në rrethet e disa krerëve të shteteve armike, nga Gamal Abdel Nasser i Egjiptit deri te Hafez al-Assad i Sirisë, vrasjet e tyre ishin të paprekshme edhe në kohë lufte.
Vrasja e liderëve të huaj nuk është vetëm tabu, por edhe e ndërlikuar nga ana operacionale. Dështimi vetëm sa rrit staturën e tyre, siç ndodhi pas shumë tentativave të dështuara të CIA-s për të vrarë Fidel Castron e Kubës, ndërsa suksesi mund të vërë në lëvizje një kaos të paparashikueshëm.
Por, tha Shine, vargu i goditjeve të inteligjencës së Izraelit — duke përfshirë vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran në vitin 2024, dhe një projekt klandestin shumëvjeçar prej 300 milionë dollarësh për të mbushur me eksploziv mijëra bipera dhe radiot e Hezbollahut — ka fuqinë e vet joshëse.
“Në hebraisht, ne themi: Oreksi vjen duke ngrënë’,” tha ajo.
“Me fjalë të tjera, sa më shumë të kesh, aq më shumë dëshiron.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times