
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar fuqishëm në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur akuza për lidhje dhe ndërvarësi politike mes tyre.
Sipas Këlliçit, Rama po “ushqen elegjinë” për Ballukun, pavarësisht se ndaj saj rëndojnë akuza të rënda për abuzime me tendera, me vlerë prej 1.1 miliardë euro në 11 procedura.
“Si ka mundësi që ranë të gjitha parimet për përgjegjësi personale dhe mosavokati kur ka probleme me drejtësinë?”, pyet deputeti demokrat, duke akuzuar kryeministrin për standard të dyfishtë krahasuar me ish-zyrtarë të tjerë që janë hetuar nga drejtësia.
Ai thekson se qëndrimi i Ramës nuk ka asgjë njerëzore apo sentimentale, por është rezultat i një lidhjeje të fortë politike dhe interesash të përbashkëta. Këlliçi shton se kryeministri është i “kapur” nga Balluku, e cila po hetohet nga SPAK, dhe kjo ndërvarësi manifestohet hapur para qytetarëve.
Deputeti demokrat pretendon se fuqia e Ballukut buron nga përfshirja e vetë Ramës në aferat që po hetohen, dhe paralajmëron se kriza politike dhe institucionale në vend po thellohet.
“Ikja e Ballukut, pa Ramën, vetëm e thellon krizën,” shkruan Këlliçi, duke theksuar se largimi i kryeministrit është, sipas tij, e vetmja rrugë për të dalë nga situata aktuale.