Vendosni fjalën kyçe....

Trump flet për “marrje miqësore” të Kubës


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ngriti të premten perspektivën e një “marrjeje miqësore” të Kubës, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po merrej me këtë çështje në një “nivel shumë të lartë”.

“Qeveria kubane po flet me ne dhe ata janë në telashe të mëdha,” tha Trump ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Teksas. “Ata nuk kanë para. Nuk kanë asgjë tani, por po flasin me ne, dhe mbase do të kemi një marrje miqësore (friendly takeover) të Kubës.”

Trump e përshkroi Kubën si një komb të dështuar në nevojë për ndryshim, duke shtuar se kishte dëgjuar për problemet e këtij vendi që kur ishte djalë i vogël. “Mund ta shoh këtë të ndodhë. Marco Rubio po merret me këtë në një nivel shumë të lartë,” tha ai. “Ata nuk kanë para, nuk kanë naftë, nuk kanë ushqim. Dhe tani është me vërtetë një komb në telashe të thella dhe ata duan ndihmën tonë.”

Qeveria kubane ka deklaruar se nuk është në asnjë bisedim të nivelit të lartë me Shtetet e Bashkuara, por nuk i ka mohuar kategorikisht raportimet e shtypit se zyrtarët amerikanë mund të jenë në bisedime informale me Raul Guillermo Rodriguez Castro, nipin e ish-presidentit kuban Raul Castro.

Axios raportoi këtë muaj se Rubio kishte zhvilluar bisedime sekrete me nipin e ish-liderit të Kubës. Zyrtarët amerikanë të afërt me Rubion u takuan përsëri me nipin në margjinat e konferencës rajonale të Komunitetit të Karaibeve këtë javë në Shën Kitts dhe Nevis, raportoi Miami Herald të enjten.

Tensionet me Kubën u rritën pasi forcat kubane vranë këtë javë katër ekzile dhe plagosën gjashtë të tjerë, të cilët lundruan në ujërat kubane me një skaf të regjistruar në Florida dhe hapën zjarr ndaj një patrulle kubane. Rubio mohoi që ky të ishte një operacion i SHBA-së dhe tha se asnjë person i qeverisë amerikane nuk ishte i përfshirë.

Incidenti ndodhi ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar pothuajse të gjitha dërgesat e naftës në ishull, duke rritur presionin ndaj qeverisë komuniste. Muajin e kaluar, forcat amerikane kapën Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, duke larguar nga pushteti një aleat kyç të Kubës.

Rubio ka shpërthyer kundër qeverisë kubane javët e fundit, duke e quajtur status quo-në atje të paqëndrueshme dhe duke thënë se Kuba duhej të ndryshonte “dramatikisht”.

Ekzilet kubanë, të cilët janë kryesisht të përqendruar në Miami, kanë ëndërruar prej kohësh përmbysjen e qeverisë kubane ose rënien e saj. Trump përmendi komunitetin e madh kuban, duke thënë se një marrje e Kubës nga SHBA mund të ishte “diçka e mirë… shumë pozitive” për njerëzit që ishin dëbuar nga vendi. “Kemi njerëz që jetojnë këtu që duan të kthehen në Kubë dhe ata janë shumë të lumtur me atë që po ndodh,” tha ai.