
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u paraqit të enjten për një dëshmi me dyer të mbyllura përpara një paneli të kontrolluar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, që po heton lidhjet dhe trajtimin institucional të çështjes së Jeffrey Epstein, përcjell Euronews.
Depozitimi, që u zhvillua në Chappaqua, zgjati mbi gjashtë orë. Në një deklaratë hyrëse të publikuar prej saj në rrjetet sociale, Clinton tha se nuk kishte asnjë dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein apo të bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.
“Nuk kisha asnjë ide për aktivitetet e tyre kriminale. Nuk mbaj mend të kem hasur ndonjëherë zotin Epstein,” deklaroi ajo.
Pas përfundimit të seancës, Clinton u shpreh gjithashtu e bindur se bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, nuk kishte dijeni për krimet e Epstein. Ajo mohoi çdo vizitë në ishullin privat, rezidencat apo zyrat e financierit të dënuar, duke akuzuar panelin se po përpiqej të “mbronte një zyrtar publik”, duke iu referuar presidentit aktual Donald Trump.
Seanca u ndërpre përkohësisht pasi një fotografi nga brenda sallës së dëshmisë u publikua online, çka u konsiderua shkelje e marrëveshjes për zhvillimin e saj me dyer të mbyllura. Clinton e cilësoi incidentin si shqetësues, duke theksuar se rregullat ishin vendosur paraprakisht mbi bazën e konfidencialitetit.
Hetimi drejtohet nga Komiteti i Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, i kryesuar nga republikani James Comer. Ai deklaroi pas dëshmisë së Hillary Clinton se komiteti kishte ende shumë pyetje, veçanërisht për Bill Clinton, i cili pritet të dëshmojë të premten.
Ndërkohë, demokrati kryesor në panel, Robert Garcia, i bëri thirrje që edhe Presidenti Trump të paraqitet përpara komitetit, duke argumentuar se precedent i vendosur me dëshminë e një ish-presidenti duhet të vlejë për të gjithë. Megjithatë, Comer ka deklaruar më herët se komiteti nuk mund ta detyrojë një president në detyrë të dëshmojë.
Çështja ka marrë përmasa të reja pas publikimit të dokumenteve qeveritare të lidhura me Epstein, ku përmenden si Trump ashtu edhe Bill Clinton. Të dy kanë deklaruar se kishin ndërprerë lidhjet me Epstein para dënimit të tij në vitin 2008 në Florida, ku ai u shpall fajtor për akuza shtetërore që lidhen me shfrytëzim seksual të një të miture, duke shmangur ndjekjen federale në atë kohë.