Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Modeli i qeverisjes së Ramës vendos interesin personal para atij kombëtar


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të PS, ku kryeministri Edi Rama deklaroi se do të presë raportin e Këshillit të Mandateve dhe më pas do të flasë për imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku ka shkruar se kryeministri Rama dhe qeveria e tij po rrezikojnë integrimin europian të vendit, për shkak se sipas saj, refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë.

Po ashtu, Tabaku shtoi se modeli aktual i qeverisjes vendos interesin personal mbi atë kombëtar.

 

Reagimi i Tabakut:

Shqipëria përballë Zgjedhjes së Saj Historike

Shqipëria është realisht në një udhëkryq. Dhe ironia është se ata që e kanë sjellë vendin në këtë pikë janë e njëjta forcë politike që në vitin 2010 refuzoi të votojë tre ligje të rëndësishme, duke bllokuar institucionet për interesa të ngushta politike. Sot, po e njëjta parti dhe i njëjti kryetar partie e kanë degdisur Shqipërinë në një tjetër udhëkryq – atë të integrimit europian – sepse refuzojnë të zbatojnë ligjin dhe drejtësinë siç kërkohet në çdo vend europian: njësoj për të gjithë, pa përjashtime dhe pa privilegje.

Në një Shqipëri që renditet e fundit në rajon për fuqinë blerëse për frymë, që lëngon për pensione dinjitoze, që përballet me një klimë biznesi të pasigurt dhe ku zhvlerësimi i euros nga paratë e pista shoqërohet me rritje të përditshme të çmimeve të shportës, ky udhëkryq bëhet edhe më dramatik. Nuk është një ndalesë që e kemi zgjedhur. Është një pengesë që na është imponuar nga një model qeverisjeje që vendos interesin personal mbi interesin kombëtar.

Kjo aventurë politike, që përpiqet të ndërtojë mitin e një lideri të pazëvendësueshëm, e ka zhvendosur debatin nga standardet europiane te kultivimi i pushtetit personal. Por zgjedhja përpara nesh është e qartë: ose një sistem i mbyllur, ku korrupsioni institucionalizohet dhe pushteti përqendrohet në një dorë të vetme, ose një Shqipëri europiane – me institucione të forta, ekonomi të ndershme dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.

Çdo shqiptar e di se cilën rrugë duhet të zgjedhë. Dhe përgjigjja nuk është vetëm një mendim. Është një qëndrim. Një akt qytetar. Një zë që duhet të dëgjohet. Prandaj të shtunën përballë Kryeministrisë në orën 18:00 bëje zërin tënd të dëgjohet!