Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj dhe Kapri i drejtohen Kushtetueses për dosjen e SPAK ndaj Ballukut: Deputetët nuk mund të votojnë pa prova


Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputeti Erald Kapri i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me një kërkesë për interpretim lidhur me të drejtën e deputetëve për të pasur akses në dosjen e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj zv.kryeministres së pezulluar, Belinda Balluku.

Sipas Shehajt, në Kuvend ka mbërritur kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, e shoqëruar me provat përkatëse, por kjo dosje nuk u është vënë në dispozicion deputetëve.

Ai thekson se, duke qenë se Parlamenti pritet të votojë për lejimin ose jo të arrestimit, deputetët duhet të jenë të informuar mbi përmbajtjen e provave.

Në një deklaratë nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese, Shehaj u shpreh se “në Kuvendin e Shqipërisë ka ardhur një kërkesë nga SPAK-u bashkë me provat mbi të cilat është mbështetur ajo kërkesë për arrestimin e Belinda Ballukut. Kjo dosje dhe kjo kërkesë nuk po u dorëzohet deputetëve, por po mbahet e fshehur”.

Ai shtoi se javën e ardhshme deputetët do të duhet të votojnë për autorizimin e arrestimit, por pa pasur dijeni për provat konkrete.

Sipas tij, kjo situatë përbën shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës, ndaj dhe i janë drejtuar Gjykatës për sqarim.

“Është shumë e rëndësishme jo vetëm për lejen për arrestimin e Belinda Ballukut, por sepse nuk mund të krijohet një precedent ku anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të votojnë pa qenë të informuar mbi çfarë po votojnë. Kjo është një çështje parimore”, deklaroi Shehaj.

Deputetët e Partisë Mundësia bëjnë me dije se dosjen e SPAK, e cila ndodhet në Kuvend që prej 16 dhjetorit të vitit të kaluar, e kanë kërkuar vazhdimisht edhe me shkresa zyrtare, por sipas tyre janë përballur me refuzim.

Sipas Shehajt, qëllimi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese është të shmanget krijimi i një precedenti që në të ardhmen deputetëve t’u mohohet akses në prova në raste të ngjashme që lidhen me zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion.