Vendosni fjalën kyçe....

Nga Pablo Escobar te algoritmet – Skema e sofistikuar e karteleve meksikane në rekrutimin e të miturve


Në vitin 1989, Pablo Escobar rekrutonte fëmijë nga shtresat më të varfra për t’i përfshirë në trafikun e drogës. Më shumë se tre dekada më pas, kjo praktikë nuk ka pushuar…përkundrazi, është transformuar.

Sot, sipas ekspertëve, organizatat kriminale po përdorin algoritmet e rrjeteve sociale për ta bërë procesin më efikas dhe më të sofistikuar, veçanërisht në Meksikë, ku kartelet konsiderohen punëdhënësi i pestë më i madh në vend.

Studiuesi Rodrigo Pena, shpjegon se krimi i dhunshëm zakonisht përshtatet shpejt me teknologjitë e reja. Në kontekstin e rekrutimit, përparimi i platformave sociale funksionon si një mekanizëm lehtësues, duke kombinuar teknologjinë me apelimin ndaj emocioneve dhe identitetit të të rinjve.

Për të analizuar këtë dukuri, Pena dhe një ekip kërkuesish nga Colegio de México studiuan 100 llogari në TikTok, ku grupe kriminale – kryesisht Karteli i Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG) – kanë krijuar atë që studiuesit e quajnë “gjuhë dixhitale”. Kjo gjuhë përfshin përdorimin strategjik të emoji-ve, hashtag-ëve dhe “corridos tumbados”, një zhanër i muzikës popullore meksikane, për të tërhequr anëtarë të rinj.

Sipas Penas, ka prova konkrete që mesazhe publikohen në emër të organizatave kriminale, si dhe raste të të rinjve që reagojnë drejtpërdrejt për t’u përfshirë. Në disa raste, rekrutëve u ofrohen deri në 15,000 pesos në javë (rreth 875 dollarë), në një kohë kur paga minimale në vend është 315 pesos (18.30 dollarë) në ditë – një diferencë që e bën ofertën jashtëzakonisht joshëse.

Gjuha e koduar dhe simbolika

Një element kyç i kësaj strategjie është përdorimi i emoji-ve për identifikim dhe diferencim mes grupeve. Për shembull, emoji i picës lidhet me “Chapizza”, një referencë për fraksionin e Kartelit të Sinaloas të drejtuar nga Joaquín Guzmán. Nga ana tjetër, emoji i gjelit përdoret për të simbolizuar Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, udhëheqësi i CJNG.

Këto kode vizuale i lejojnë karteleve të komunikojnë hapur, por në mënyrë të nënkuptuar, duke shmangur censurën direkte.

“Flluskat filtruese” dhe efekti i algoritmit

Pena thekson se kombinimi i kësaj gjuhe të sofistikuar me “flluskat filtruese” të algoritmeve bën që përmbajtja kriminale të arrijë audienca që më parë ishin të paarritshme. Algoritmet i grumbullojnë përdoruesit në ekosisteme të mbyllura bazuar në ndërveprimet e tyre, duke e bërë të vështirë daljen prej tyre, veçanërisht në TikTok.

Ai kujton edhe një rast të raportuar nga The New York Times, ku studentë të kimisë u rekrutuan nga Karteli i Sinaloas për të punuar si “kuzhinierë” të fentanilit.

Sipas studiuesve, qëndrimi i vazhdueshëm i përdoruesve brenda këtyre flluskave ka ndryshuar logjikën tradicionale të rekrutimit: tashmë, në shumë raste, janë vetë të rinjtë që aplikojnë për t’u bërë pjesë e grupeve kriminale. Në analizat e tyre të komenteve dhe ndërveprimeve në video, ata gjetën mesazhe të drejtpërdrejta si “Jam i interesuar” apo “Dua punë”.

Forma të reja të dhunës

Pena nuk jep një shifër të saktë për ritmin e rritjes së kësaj dukurie, por thekson se ajo vijon. Rreth 50% e videove të analizuara u publikuan pas zbulimit, në mars 2025, të një prone të lidhur me CJNG në Rancho Izaguirre, në shtetin e Jalisco-s.

Sipas tij, problemi nuk është zhdukur, ai thjesht ka evoluar. Dhuna nuk është më domosdoshmërisht fizike apo e drejtpërdrejtë. Organizatat kriminale nuk kanë më nevojë të përdorin kërcënime të hapura; rekrutimi mund të ndodhë përmes ndikimit psikologjik dhe simbolik, shkruan Borderland Beat.

Ai identifikon gjithashtu dhunën strukturore, e cila prek të miturit që rriten në varfëri dhe me mungesë perspektive, si dhe dhunën simbolike, të lidhur me çështje identiteti dhe maskuliniteti. Shumica e të rekrutuarve janë meshkuj të ekspozuar ndaj një kulture dixhitale të hiperseksualizuar.

Në vlerësimin e tij, mbyllja e llogarive në internet – një praktikë e ndjekur nga qeveria federale – nuk është zgjidhje afatgjatë. Zgjidhja, sipas tij, qëndron në edukimin e të miturve në një realitet ku 8 në dhjetë fëmijë nga 3 deri në 12 vjeç kanë qasje në një telefon inteligjent.