
Instagram njoftoi se do t’u dërgojë sinjalizime prindërve në rast se fëmija i tyre adoleshent kërkon në mënyrë të përsëritur, brenda një intervali të shkurtër kohor, terma që lidhen me vetëvrasjen apo vetëlëndimin. Ky zhvillim vjen në një moment kur po rritet presioni ndaj qeverive që të ndjekin modelin e ndalimit të miratuar nga Australia për përdorimin e rrjeteve sociale nga të rinjtë nën moshën 16 vjeç.
Në janar, Britania e Madhe bëri të ditur se po analizon mundësinë e vendosjes së kufizimeve për mbrojtjen e fëmijëve në internet, pas vendimit të Australisë në dhjetor. Së fundmi, edhe Spanja, Greqia dhe Sllovenia kanë deklaruar se po shqyrtojnë masa për të kufizuar aksesin.
Platforma, e cila është në pronësi të Meta Platforms Inc., sqaroi të enjten se njoftimet do t’u dërgohen prindërve që janë regjistruar në opsionin vullnetar të mbikëqyrjes, në rast se fëmijët e tyre tentojnë të hyjnë në përmbajtje që trajton vetëvrasjen ose vetëlëndimin.
“Këto paralajmërime ndërtohen mbi përpjekjet tona ekzistuese për të mbrojtur adoleshentët nga materiale potencialisht të dëmshme në Instagram,” thuhej në deklaratën e kompanisë. “Ne zbatojmë politika të rrepta kundër çdo përmbajtjeje që promovon apo lavdëron vetëvrasjen ose vetëlëndimin.”
Sipas politikave aktuale, kërkime të tilla bllokohen dhe përdoruesit ridrejtohen drejt burimeve mbështetëse. Instagram shtoi se njoftimet për prindërit do të nisin nga java e ardhshme për ata që janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Australi dhe Kanada.
Autoritetet shtetërore po rrisin përpjekjet për të mbrojtur të miturit nga rreziqet online, veçanërisht pas shqetësimeve të lidhura me chatbot-in e inteligjencës artificiale Grok, i cili ka prodhuar imazhe seksuale pa autorizim.
Në Britani, nismat që synojnë bllokimin e aksesit të fëmijëve në faqe pornografike kanë pasur pasoja për privatësinë e të rriturve dhe kanë krijuar tensione me SHBA-në lidhur me kufizimet mbi lirinë e shprehjes dhe shtrirjen e rregullimit ligjor.
Ndërkohë, “Llogaritë për adoleshentë” në Instagram për përdoruesit nën 16 vjeç kërkojnë miratimin e prindërve për ndryshimin e cilësimeve, ndërsa prindërit kanë mundësinë të aktivizojnë një nivel shtesë monitorimi, me pëlqimin e fëmijës së tyre adoleshent.