Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve se nuk ka asnjë informacion të ri lidhur me financierin e ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, duke akuzuar republikanët për mënyrën se si po e drejtojnë hetimin.
Në deklaratën e saj hapëse, të publikuar edhe në platformën X dhe të mbajtur gjatë një seance me dyer të mbyllura, Clinton theksoi se nuk ka pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein apo të bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell.
“Unë nuk kisha asnjë dijeni për aktivitetet e tyre kriminale. Nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë zotin Epstein. Nuk kam fluturuar kurrë me avionin e tij dhe nuk kam vizituar ishullin apo zyrat e tij”,- deklaroi ajo.
Clinton akuzoi panelin e drejtuar nga republikanët se po ndërmerr “ekspedita partiake peshkimi”, duke e detyruar atë dhe bashkëshortin e saj të dëshmojnë, ndërsa sipas saj po merren me personat e gabuar, sipas NBC.
Ajo pretendoi se thirrja për dëshmi synon të largojë vëmendjen nga lidhjet e presidentit Donald Trump me Epstein, duke kërkuar që ai të pyetet nën betim për përmendjet e tij në dokumentet hetimore.
Trump, ashtu si edhe Clintonët, nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore në lidhje me Epstein dhe i ka mohuar çdo pretendim për keqbërje.
Dëshmia e Hillary Clinton po zhvillohet në Chappaqua, Nju Jork, ku çifti Clinton ka rezidencën e tyre. Ish-presidenti Bill Clinton pritet të japë një depozitim të ngjashëm.
Kryetari i komitetit, republikani James Comer, deklaroi se intervista do të jetë e gjatë dhe se marrja në pyetje e ish-presidentit do të zgjasë edhe më shumë. Ai theksoi se komiteti do të publikojë transkriptet dhe videot sapo të miratohen.
Clintonët kanë mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme dhe nuk janë akuzuar për krime në lidhje me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual të të miturve.
Fotografi të padata të Bill Clinton me Epstein dhe Maxwell u publikuan në dhjetor, si pjesë e dokumenteve të bëra publike sipas Aktit për Transparencën e Dosjeve Epstein të vitit 2025.
Në një deklaratë nën betim dërguar komitetit muajin e kaluar, Bill Clinton tha se nuk mban mend kur e ka takuar për herë të parë Maxwell dhe se nuk ka “asnjë njohuri personale” për aktivitetet kriminale të Epstein apo Maxwell. Një gjuhë e ngjashme u përdor edhe nga Hillary Clinton në deklaratën e saj.
Maxwell, e cila po vuan një dënim prej 20 vitesh burg për trafikim seksual, ka deklaruar në një intervistë të pazakontë me zëvendësprokurorin e përgjithshëm Todd Blanche se nuk ka parë kurrë Bill Clinton apo Trump të kryejnë veprime të papërshtatshme.
Hetimi i Kongresit vjen pas muajsh përplasjeje mes komitetit dhe çiftit Clinton, i cili në një moment u përball me kërcënimin për shpërfillje të Kongresit për moszbatim të një thirrjeje zyrtare për dëshmi.
