Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Dubai Durim Bami


Durim Bami është ekstraduar nga Dubai mbrëmjen e sotme. Ai ka mbërritur në Rinas ku është shoqëruar më pas drejt burgut nën masa të rrepta sigurie.

Bami, i njohur si një nga anëtarët e grupit kriminal të Niklës, ishte arrestuar në Dubai në tetor 2024, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale, përfshirë: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Nga ana tjetër, sipas hetimeve, edhe Ndoka dhe figura të tjera të botës së krimit dyshohet se e konsideronin Bamin si objektiv. Po ashtu, thuhet se Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.

Në shkurt të vitit 2021, Bami, së bashku me Endrit Dokle dhe Marklen Haka, dyshohet se planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasi, ky i fundit mik i afërt i Martinajt, i cili u ekzekutua në Tiranë.

Sipas SPAK-ut, Durim Bami drejtonte dhe financonte një grup kriminal të përfshirë në kultivimin e kanabisit në zonat e Niklës dhe Bubqit gjatë periudhës dhjetor 2019 – korrik 2020, si dhe sërish në shtator 2020, duke menaxhuar të gjithë aktivitetin. Në këtë veprimtari dyshohet se e ndihmonte ish-efektivi i RENEA, Altin Morina (i arrestuar), si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, të cilët siguronin informacione të brendshme dhe ndihmonin në shmangien e kontrolleve policore.