Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku ky i fundit mbrojti zv.kryeministren e pezulluar Belinda Balluku dhe ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilat janë nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha akuzoi Ramën se ka sulmuar drejtësinë dhe institucionin e akuzës, duke pretenduar se reagimi i tij lidhet me çështje që, sipas opozitës, prekin rrethin e afërt të kryeministrit.
Sipas Berishës, Rama në fjalën e tij ka mbrojtur ish-drejtuesen e AKSHI-t, duke theksuar integritetin e saj dhe duke përmendur si argument stilin e thjeshtë të jetesës.
Kreu i opozitës e cilësoi këtë si një përpjekje për të shmangur thelbin e çështjes dhe ngriti dyshime për lidhje të tjera që, sipas tij, duhet të hetohen nga organet kompetente.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se “Edi Rama është tashmë në rreth të kuq”, duke e akuzuar atë për, sipas tij, sulme ndaj drejtësisë dhe përpjekje për të ndikuar në reformën në drejtësi.
Ai pretendoi se reagimi i kryeministrit lidhet edhe me përfshirje të bashkëshortes së tij, Linda Rama, në dosje hetimore, pretendim që nuk është konfirmuar nga organet zyrtare.
Berisha kritikoi gjithashtu qëndrimet e Ramës lidhur me standardet e dorëheqjes në vende të tjera, duke kundërshtuar krahasimin me Gjermaninë dhe duke përmendur raste dorëheqjesh në Shqipëri gjatë viteve 2009–2013.
Në fund të mesazhit të tij, lideri demokrat bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar mbështetësit në një tubim të shtunën në orën 18:00, të cilin e cilësoi si një moment përballjeje me qeverinë.
Videomesazhi i plotë:
Edi Rama, në fjalën e tij, përveçse mbrojti veten në të gjitha mënyrat, duke përdorur administratën, rolin dhe misionin e saj në një shtet, si edhe ndershmërinë dhe dinjitetin e saj, sulmoi në mënyrën më të verbër drejtësinë, institucionin e akuzës dhe gjithçka që vërtitej rreth tij personalisht, i vetëdijshëm se është tashmë në rreth të kuq.
Mashtroi në mënyrën më të paskrupullt. U tha shqiptarëve se ministrat, zëvendëskryeministrat apo kryeministrat në Gjermani japin dorëheqjen si detyrim moral. Por kjo nuk ndodh në vende të tjera; ndodh vetëm në shtetin ligjor të avancuar dhe të konsoliduar të Gjermanisë. Një mashtrim me bisht. Jo larg, por nga viti 2009–2013, në Shqipëri kanë dorëzuar imunitetin, kanë dhënë dorëheqjen zëvendëskryeministra e ministra, si dhe është hequr imuniteti për disa të tjerë. Ky mendon se të tjerët vuajnë nga amnezia. Në ekspozenë e tij, Edi Rama bëri mbrojtjen, avokatinë e AKSHI-t.
Siç e vutë re, i gjithë fjalimi i tij përqendrohej te integriteti i lartë i Mirlindës së AKSHI-t, dhe si provë për këtë integritet paraqiste faktin se ajo banon në një pallat me qira dhe se nuk di t’i japë makinës. Qesharake!
Në fakt, Linda nuk është gjë tjetër veçse prestanome e Lindës tjetër, e gjysmës më të mirë të Edi Ramës.
Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar, dhe ky është ai vetë. E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë, kopshtarja private e këtij kopshti është Linda Rama.
Ndaj, ai i shfazuar u përpoq të përdorte çdo lloj argumenti absurd për të akuzuar prokurorinë për veprimet që ka ndërmarrë.
Për Edi Ramën, antikorrupsioni, kur cenohet ai dhe rrethi i tij, është më i rrezikshëm se vetë korrupsioni. Për të, për shkak të integrimit europian, lufta kundër korrupsionit është një herezi, por jo kusht vendimtar për këtë proces. Për të, reforma në drejtësi duhet të pësojë ndryshime të thella e të shumëanshme, në mënyrë që t’i përshtatet kontrollit të tij mbi këtë reformë.
Të dashur miq, sot, në të njëjtën kohë kur ai fliste, në Parlamentin Europian, parlamentarë të nderuar kishin një seancë debati për Shqipërinë, në të cilën u deklarua se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri kanë kapur nivelet më të larta të pushtetit. Dhe për secilin prej jush është e qartë se nivelet më të larta të pushtetit janë: Edi Rama, Belinda Balluku dhe kukulla e tyre në presidencë: Bajram Begaj.
Në Parlamentin Europian, në të njëjtën kohë, u kërkua në mënyrë të prerë heqja e imunitetit dhe dhënia para drejtësisë e Lubi Ballukut. U kërkuan kushtëzime të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe heqja përfundimisht dorë nga amendamentet dhe ligjet me të cilat Edi Rama do të mbrojë veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pra, ky kryetar i organizatës kriminale sot vendosi veten në pallatin presidencial, në bankën e akuzës, dhe mëkatarët e tij, 83 mandatet e krimit, i kishte vendosur rreth tij teksa fliste, teksa mbante mbrojtjen ndaj vetes, familjes dhe njerëzve të tij më të afërt nga drejtësia.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ka vetëm një zgjidhje. Zgjidhja jeni ju. Është guximi juaj. Është vendosmëria juaj. Është trimëria juaj në një mision historik për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që po e rrënon çdo ditë e më shumë.
E shtuna, në orën 18:00, është dita juaj; është dita e qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, dita e goditjes më të rëndë të narkoregjimit dhe kreut të tij, Edi Rama.
