
Një figurë e pazakontë në politikën nepaleze – reperi i kthyer në kryebashkiak, Balendra Shah – po shihet si favoriti kryesor për postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 5 marsit, duke sfiduar klasën tradicionale politike të vendit.
Pas protestave të dhunshme të shtatorit të kaluar, që lanë 77 të vdekur dhe çuan në dorëheqjen e ish-kryeministrit K.P. Sharma Oli, Shah reagoi në mënyrën e tij karakteristike përmes mediave sociale. Në një mesazh drejtuar të rinjve, ai shpalli se “dorëheqja e vrasësit tuaj erdhi”, duke i ftuar ata të përgatiteshin për të marrë drejtimin e vendit.
Vetëm pak muaj më pas, 35-vjeçari i njohur si Balen po kryeson garën për të udhëhequr Nepalin. Edhe pse vendi nuk ka sondazhe të besueshme kombëtare, analistë politikë dhe media vendase e konsiderojnë atë kandidatin më të fortë për kryeministër.
Profesori i së drejtës kushtetuese në Universiteti i Katmandusë, Bipin Adhikari, vuri në dukje nivelin e popullaritetit të tij, duke përmendur se autobusët që mbërrijnë në Katmandu shpesh mbajnë ngjitëse me mbishkrimin “Drejt qytetit të Balenit”.
Ngjitja e tij përfaqëson një transformim të rrallë: nga artist rap kritik ndaj elitave, në një figurë me potencial për të drejtuar shtetin. Një fitore e mundshme e Shahut do të trondiste skenën politike të Nepalit, një vend i vendosur mes Kinës dhe Indisë, i dominuar për dekada nga partitë tradicionale.
Mes tyre janë Partia Komuniste e Nepalit (E Bashkuar Marksiste-Leniniste), e lidhur tradicionalisht me Kinën, si dhe Kongresi Nepalez, i konsideruar më pranë Indisë. Në kontrast, Partia Rastriya Swatantra (RSP) e Shahut paraqitet si një forcë e re e qendrës, duke premtuar marrëdhënie të balancuara me të dy fqinjët.

Nga bashkia në ambicie kombëtare
Një pjesë e mbështetjes së tij buron nga performanca si kryebashkiak i Katmandusë, post që e fitoi në vitin 2022 si kandidat i pavarur. Gjatë mandatit, ai u përqendrua në menaxhimin e mbetjeve, përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve bazë si kujdesi shëndetësor.
Megjithatë, ai është përballur edhe me kritika, përfshirë nga Human Rights Watch, për mënyrën e trajtimit të shitësve ambulantë dhe personave pa tokë, përmes konfiskimeve të pronës nga policia.
Në janar, Shah dha dorëheqjen si kryebashkiak për të hyrë në garën kombëtare. Ndryshe nga politikanët tradicionalë, ai shmang mediat klasike dhe komunikon kryesisht përmes rrjeteve sociale, ku ndiqet nga mbi 3.5 milionë persona. Prania e tij online – me syzet e zeza karakteristike dhe imazhin e kuruar të fushatës – është një nga armët e tij kryesore elektorale.
Analisti politik Puranjan Acharya paralajmëron se, megjithëse lidhja me të rinjtë i jep avantazh, drejtimi i vendit do të jetë një sfidë shumë më e madhe sesa administrimi i kryeqytetit.

Nga muzika te politika
I rritur në një familje modeste – me babanë praktikues të mjekësisë tradicionale Ayurvedike dhe nënën shtëpiake – Shah shfaqi herët talent për poezi, që më pas u shndërrua në pasion për rap-in, i ndikuar nga artistë si Tupac Shakur dhe 50 Cent.
Pas diplomimit në inxhinieri civile në Nepal dhe studimeve master në inxhinieri strukturore në Indinë jugore, ai ishte tashmë një figurë e njohur në skenën muzikore. Këngët e tij, shpesh kritike ndaj klasës politike, rezonuan fort në një vend ku rreth 20% e popullsisë prej 30 milionë banorësh jeton në varfëri ekstreme.
Një nga këngët e tij më të njohura, “Balidan” (Sakrificë), e publikuar në 2019, ka grumbulluar mbi 12 milionë shikime në YouTube, me vargje që sfidojnë hapur pushtetin dhe kërkojnë liri fjale.
Program ambicioz dhe sfida reale
Në dhjetor, Shah iu bashkua RSP-së, e udhëhequr nga ish-prezantuesi televiziv i kthyer në politikan, Rabi Lamichhane, duke u shpallur kandidat për kryeministër.
Programi i partisë parashikon krijimin e 1.2 milionë vendeve pune, uljen e migrimit ekonomik, rritjen e të ardhurave për frymë nga 1,447 në 3,000 dollarë, dyfishimin e ekonomisë në 100 miliardë dollarë PBB dhe sigurim shëndetësor universal – objektiva që synohet të arrihen brenda pesë viteve.
Megjithatë, analistët theksojnë se suksesi i tij do të varet nga aftësia për të ndërtuar një ekip kompetent dhe për të reformuar një administratë të dobët dhe të prekur nga korrupsioni. Siç paralajmëron Acharya, pa mbështetje të fortë institucionale, çdo lider rrezikon të bllokohet nga një aparat shtetëror i ngurtë dhe joefikas, shkruan Reuters.