Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 33-vjeçari në Përmet, kapet me armë dhe drogë


Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Historiku”, duke arrestuar një 33-vjeçar banues në Përmet, i cili mbante në banesë armë zjarri dhe lëndë narkotike me qëllim shitjen.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 3 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 2 pushkë), rreth 300 fara kanabisi, sasi kanabisi, si dhe municion luftarak.

Njoftimi i plotë i policisë

“Përmet/Finalizohet operacioni i koduar “Historiku”. Sekuestrohen 3 armë zjarri, 300 fara Cannabisi, sasi Cannabisi dhe municion luftarak.

Arrestohet shtetasi që mbante në banesë, sendet e kundërligjshme, me qëllim shitjen. I arrestuari, shtetas me precedent penal.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se një shtetas me precedent penal, ishte përfshirë në disa veprimtari kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, finalizuan operacionin e koduar “Historiku”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi K. K., 33 vjeç, banues në Përmet, me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Nga kontrolli në banesë e tij, u gjetën 3 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 2 pushkë), 300 fara Cannabisi, sasi Cannabisi e dyshuar e poseduar me qëllim shitjen, si dhe 4 krehra dhe fishekë luftarak.

Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për t’iu nënshtruar ekspertizës nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme”