
Dorian Teliti, ekspert dhe koordinator i programit të Partisë Demokratike, komentoi debatet mbi amnistinë fiskale dhe konceptin e paqes fiskale, duke shprehur shqetësime për trajtimin e bizneseve nga administrata shtetërore.
Sipas Telitit, amnistia fiskale lidhet me detyrimet e së kaluarës, ndërsa paqja fiskale ka synim të ardhmen.
“Amnistia është një mundësi për ata që kanë detyrime të prapambetura që t’i shlyejnë. Në një ekonomi si ajo shqiptare, ku ekziston një kompleksitet i madh, bilancet duhet të pastrohen, por mënyra e zbatimit ka rëndësi të veçantë,” shpjegoi ai.
Ai theksoi se lidhja e amnistisë vetëm me periudhën kohore, pa një analizë të thelluar dhe pa instrumente shtesë, mund të rezultojë në një proces të padrejtë. Sipas tij, shteti duhet të fillojë nga identifikimi i borxheve të parikuperueshme dhe t’i ndajë ato nga detyrimet që mund të rikuperohen përmes mekanizmave ligjorë.
Teliti përmendi rastet e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet gjatë viteve, duke përdorur këto fonde për të krijuar avantazh konkurrues ndaj subjekteve që veprojnë rregullisht.
“Kur dikush nuk paguan detyrimet dhe e përdor këtë për të fituar përparësi të padrejtë, kjo nuk është e drejtë. Nevojitet një mekanizëm edhe për ata që sillen në mënyrë të ndershme. Çfarë përfiton një biznes i ligjshëm? Absolutisht asgjë, madje përballen me kontrolle shtesë nga tatimorët,” shtoi ai.
Sa i përket paqes fiskale, Teliti shpjegoi se kjo nënkupton një marrëveshje për tre vitet e ardhshme midis shtetit dhe bizneseve. Subjektet duhet të deklarojnë të paktën 18% më shumë fitim krahasuar me vitin 2025, me mundësinë e një tavanit deri në 50%, ndërsa në këmbim kanë të drejtë të rishikojnë bilancet e vjetra të pasurive dhe aseteve monetare, duke paguar vetëm 5% tatim.
“Ndërkohë, bizneset e ndershme që kanë paguar 15% tatim, përballen me penalitete më të larta, kurse ato që hyjnë në marrëveshje përfitojnë 5% dhe nuk shqetësohen nga strukturat shtetërore për tre vite,” theksoi Teliti.
Një tjetër pikë e diskutueshme është kërkesa për heqjen dorë nga e drejta për ankimim. Ai kujtoi se ankimimi është një e drejtë kushtetuese, por aktualisht, për të apeluar një gjobë, biznesi duhet të parapaguajë 50% të shumës.
“Subjekti i ndershëm është i vetmi që nuk përfiton as nga amnistia dhe as nga paqja fiskale,” përfundoi Teliti, duke nënvizuar se çdo reformë fiskale duhet të sigurojë barazi dhe drejtësi për të gjithë pjesëmarrësit e tregut.