Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali: Shqipëria mbështetje e palëkundur për Ukrainën



Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar lidhur me luftën në Ukrainë, në katërvjetorin e nisjes së agresionit rus.

Në një reagim në rrjetin social X, Spiropali theksoi se guximi dhe qëndresa e popullit ukrainas vazhdojnë të frymëzojnë botën, ndërsa nënvizoi se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet në krah të Ukrainës.

“Katër vjet pasi Rusia nisi agresionin e saj brutal dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës, ne përkujtojmë jetët e humbura dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me një komb që mbron lirinë, sovranitetin dhe demokracinë e tij.

Guximi i popullit ukrainas vazhdon të frymëzojë botën. Qëndrueshmëria e tyre dëshmon se terrori nuk mund ta mposhtë vullnetin për të jetuar i lirë.

Shqipëria riafirmon mbështetjen e saj të palëkundur për Ukrainën, politikisht, diplomatikisht dhe përmes veprimeve konkrete. Solidariteti ynë është i qartë, parimor dhe i qëndrueshëm. Ukraina nuk është vetëm!”, shkruan Spiropali.