
Shtatë persona humbën jetën pasi një avion ambulancë me qira u rrëzua mbrëmjen e së hënës në shtetin lindor indian Jharkhand, njoftuan autoritetet për DW.
Ekipet e shpëtimit dhe ato mjekësore mbërritën me urgjencë në vendngjarje, i cili ndodhej thellë në një zonë pyjore.
Sipas Directorate General of Civil Aviation (DGCA), avioni tip Beechcraft C90, i operuar nga kompania Redbird Airways, kishte kërkuar devijim për shkak të kushteve të motit gjatë fluturimit nga Ranchi drejt Delhit.
Kontakti me kontrollin e trafikut ajror u humb 23 minuta pas ngritjes në orën 19:11 sipas orës lokale (13:41 GMT). Avioni u rrëzua në rajonin Kasaria.
Mediat lokale, duke cituar dëshmitarë okularë, raportuan se ishte dëgjuar një shpërthim i fortë para se të shihej tym që ngrihej nga zona e mbuluar me pyje. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë avionin e shkatërruar, të mbuluar me gjethe dhe mbetje, ndërsa ekipet e shpëtimit kontrollonin terrenin.
“Në bord ndodheshin shtatë persona, përfshirë dy anëtarë të ekuipazhit,” bëri të ditur DGCA në një postim në rrjetet sociale.
Zyrtarja lokale administrative, Keerthishree G, deklaroi para mediave se mjekët konfirmuan vdekjen e të gjithë personave në bord.
Autoritetet dyshojnë se avioni mund të ketë humbur kontrollin për shkak të turbulencave. Në vendngjarje është dërguar edhe Byroja Indiane e Hetimit të Aksidenteve Ajrore për të zbardhur shkaqet e plota të tragjedisë.