Vendosni fjalën kyçe....

Kapri denoncon shoqërimet e të miturve për monopatina: Brutalitet i papranueshëm nga Policia



Raste të shumta të shoqërimit të të miturve nga Policia për përdorim të monopatinave kanë alarmuar qytetarët dhe deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri. Sipas tij, disa të rinj janë shoqëruar në Komisariatin Nr. 6 pa praninë e prindërve apo psikologut, duke ngritur shqetësime për trajtimin e tyre.

“Po marr shumë SMS nga nëna që më shkruajnë se policia po u mban fëmijët në komisariate për shkak të monopatinave. Ky brutalitet ndaj të miturve duhet të ndalet tani dhe duhet hetuar çdo veprim antiligjor rast pas rasti! Unë do t’i shkoj deri në fund”, deklaroi Kapri.

Deputeti vizitoi ditën e diel Komisariatin Nr. 6 për të mbështetur dy të rinj, Matildën dhe Geljonin, të cilët u shoqëruan nga Policia sepse po lëviznin me monopatinë. Sipas të rinjve, ata nuk patën mundësi të njoftojnë prindërit, dhe në Komisariat nuk kishte asnjë psikolog.

Kapri theksoi se sjellja e policisë ndaj të miturve është e papranueshme dhe kërkoi reagim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për hetimin e rastit. “Shteti nuk provohet me 17-vjeçarë që shkojnë në shkollë, por përballë të fortëve që lëvizin me makina luksi”, shtoi ai.