
Normat e interesit të kredisë për shtëpi pësuan përsëri rënie vitin e kaluar, duke mbështetur zgjerimin e mëtejshëm të kreditimit në këtë segment.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.19%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi ka zbritur në nivelet më të ulëta që prej mesit të vitit 2022.
Ndërkohë, edhe norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash në Euro për vitin e kaluar pësoi një rënie të lehtë në 5.18%, nga 5.26% që kishte qenë në dhjetor 2024.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 64.4 miliardë lekësh ose rreth 658 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar. Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë në raport me rritjen prej 13% të vitit të mëparshëm.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2025 arriti në 243.6 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 16.7%. Ritmet e rritjes të portofolit të kredisë janë rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 15.5% të vitit të mëparshëm.
Normat e ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi në dy vitet e fundit të dominohen nga monedha vendase. Kjo tendencë vijoi edhe në 2025.
Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lekë në fund të vitit 2025 arriti në 0.99 pikë përqindje, duke u thelluar krahasuar me nivelin prej 0.74 pikë përqindje të një viti më parë.
Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 48.5 miliardë lekë, në rritje me 18.6% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 75% të vlerës së re të disbursuar në kredi për shtëpi.
Ndërkohë, vitin e kaluar edhe kredia në Euro iu kthye rritjes, pas një frenimi të përkohshëm në vitin 2024. Kredia në Euro arriti vlerën e barazvlefshme të 16 miliardë lekëve, në rritje me 14.3% krahasuar me një vit më parë.
Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme për individët dhe bizneset ka krijuar shqetësim te Banka e Shqipërisë. Në mesin e vitit 2025 nisi aplikimi i disa kufizimeve direkte në kriteret e huadhënies për blerjen e banesave.
Që prej 1 korrikut 2025, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).
Megjithatë, shifrat e 2025 treguan se aplikimi i masave të reja nuk ka arritur të frenojë rritjen e kredisë për shtëpi. /Monitor