
Të paktën tre pjesëtarë të forcave të sigurisë u vranë dhe gjashtë të tjerë, përfshirë anëtarë të ekipeve të shpëtimit, u plagosën pas një sulmi të armatosur ndaj ambulancave në veriperëndim të Pakistanit, njoftuan autoritetet të hënën.
Muhammad Asif, zëdhënës i shërbimit të urgjencës “Rescue 1122”, tha për mediat lokale se dy ambulanca po transportonin pesë anëtarë të plagosur të forcave paramilitare të Konstabulit Federal (FC) në rrethin Karak të provincës Khyber Pakhtunkhëa kur sulmuesit hapën zjarr.
“Tre pjesëtarë të FC-së u vranë, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.” – shtoi ai.
Njëra nga ambulancat u përfshi nga zjarri pas të shtënave, duke shkaktuar djegie të rënda tek disa nga të plagosurit, të cilët u dërguan menjëherë në spital për trajtim.
Pakistani ka shënuar një rritje të dhunës militante vitet e fundit, kryesisht nga grupi Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP) dhe grupe separatiste të Balokëve, shkruan AA.
Qeveria në Islamabad akuzon TTP-në se vepron nga Afganistani fqinj, një akuzë që Talebanët në Kabul e mohojnë vazhdimisht. Për pasojë, avionët pakistanezë kryen sulme ajrore në lindje dhe juglindje të Afganistanit të dielën herët, duke goditur ato që autoritetet i përshkruan si bazat e militantëve. Zyrtarët afganë thanë se sulmet kanë shkaktuar viktima civile dhe paralajmëruan për hakmarrje.