
Një ambient shërbimi është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën fundore të Lungomare, në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një bar të ndërtuar kryesisht me material drusor, çka ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit. Flakët janë përhapur me intensitet brenda pak minutash, duke rrezikuar edhe ambientet përreth.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale mendohet të jenë të konsiderueshme. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet që hetimet të zbardhin plotësisht ngjarjen. Policia ka nisur procedurat për dokumentimin e rastit, ndërsa zona është rrethuar për arsye sigurie.