
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka shkuar në Librazhd, ku situata paraqitet kritike pas shembjes së rrugës që ka bllokuar qindra banorë dhe drejtues mjetesh prej tre ditësh.
Në një video të publikuar prej tij, një shofer i huaj shihet duke përdorur “Google Maps” në celular, në përpjekje për t’u orientuar, ndërsa sipas Kaprit, makineritë e kompanisë janë fikur me rënien e errësirës dhe puna është ndërprerë, pavarësisht situatës alarmante.
“Librazhd! Fola me disa shoferë të bllokuar. Një prej tyre i huaj, i hutuar, pa ditur çfarë ka ndodhur dhe as ku duhet të shkonte. Prej 3 ditësh, një e treta e vendit është e izoluar. Edi Rama shëtit me helikopter ndërsa Belinda Balluku ka hallet e veta me drejtësinë. Shpallni menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme! Aktivizoni ushtrinë! Po cënohet siguria kombëtare!”, u shpreh Kapri.
Deputeti kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet, duke paralajmëruar se situata rrezikon sigurinë kombëtare.