
Peter Mandelson është arrestuar nga detektivët që po hetojnë pretendimet për shpërdorim detyre në kuadër të marrëdhënies së tij me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Pamjet filmike e tregojnë Mandelson duke u larguar nga banesa e tij me një automjet civil, pak pasi u shoqërua nga oficerët.
Sipas Metropolitan Police, arrestimi lidhet me dyshimet se ai ka rrjedhur emaile nga Downing Street si dhe informacione sensitive për tregun drejt Epstein-it. Në një deklaratë zyrtare, policia bëri të ditur se një burrë 72-vjeçar u arrestua nën dyshimin për shpërdorim detyre në një adresë në Camden, më 23 shkurt, dhe u dërgua në një stacion policor në Londër për t’u marrë në pyetje. Ky veprim pasoi kontrolle të kryera me urdhër gjykate në dy prona në Wiltshire dhe Camden.
Ish-ambasadori britanik në SHBA besohet se mohon çdo shkelje penale. Hetimi u hap pas publikimit të dokumenteve të lidhura me Epstein-in. Në shkurt, policia kontrolloi dy prona të lidhura me Mandelsonin në Londër dhe Wiltshire. Zëvendësndihmës komisionerja e Met-it, Hayley Sewart, deklaroi se bëhet fjalë për një hetim kompleks që kërkon grumbullim dhe analizë të thelluar të provave, duke paralajmëruar se procesi do të marrë kohë.
Zbulimet mbi lidhjet e Mandelson me Epstein kanë shtuar presionin mbi kryeministrin Keir Starmer, për shkak të vendimit për ta emëruar Mandelson ambasador në SHBA në dhjetor 2024. Starmer ka pranuar se ishte në dijeni të kontakteve mes Mandelsonit dhe Epstein-it edhe pas burgosjes së këtij të fundit në vitin 2008 për krime seksuale ndaj të miturve.
Mandelson, nip i ish-ministrit laburist Herbert Morrison, ka qenë një figurë qendrore e Partisë Laburiste për afro pesë dekada. Ai u zgjodh deputet për zonën e Hartlepool në vitin 1992 dhe u bë një nga mbështetësit e hershëm të Tony Blair. Mandelson konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të projektit “New Labour” dhe drejtoi fushatën që çoi në fitoren dërrmuese të Laburistëve në zgjedhjet e vitit 1997, përpara se të mbante disa poste ministrore, shkruan The Guardian.
Pas publikimeve mbi lidhjet me Epstein dhe reagimeve që pasuan, Mandelson dha dorëheqjen nga Partia Laburiste, si dhe hoqi dorë nga vendi i tij në Dhomën e Lordëve.