Vendosni fjalën kyçe....

“Dëshmitarët u kërcënuan nga kriminelë, Rama mund ta shkarkojë Ballukun brenda dy ditësh” – Këlliçi


Deputeti demokrat Këlliçi, komentoi mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku u shqyrtua kërkesa për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Sipas Këlliçit, gjatë mbledhjes është bërë e ditur nga prokurorët se disa dëshmitarë të përfshirë në çështje janë përballur me intimidim dhe kërcënime për jetën nga eksponentë të krimit të organizuar.

Ai shtoi se, bazuar në burime informale, brenda dy ditëve të ardhshme kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë Asamblenë e Përgjithshme të Partia Socialiste e Shqipërisë, me synim miratimin e disa ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Këlliçi shtoi se një nga ndryshimet e mundshme mund të përfshijë edhe Ballukun, e cila mund të lirohet nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres, por pa u prekur statusi i saj si deputete dhe pa cenuar imunitetin parlamentar.

“Në mbledhjen e sotme pati një zhvillim tronditës. Pati një informacion se SPAK tha se dëshmitarët të përfshirë në këtë dosje nuk janë intimiduar vetëm nga Balluku, por edhe eksponentë të krimit të organizuar. Kjo fakton atë që ne si opozitë e kemi thënë, investitorët strategjikë në vendin tonë nuk bëhen kompanitë e mëdha të huaja, por kjo përdoret për klientët e qeverisë, për persona në burg, favorizon kartelet. Bazuar në informacione informale deri tani, brenda dy ditësh kryeministri Rama mund të thërrasë asamblenë e PS që të bëjë ndryshime në qeveri, siç bëri në vitin 2017 me Saimir Tahirin që e dinte se do goditej, së bashku me të hoqi 4-5 ministra të tjerë. Të njëjtën gjë pritet të bëjë këtë javë, por pa i cenuar Ballukut imunitetin. E largon formalisht si zv/kryeministre dhe ministre dhe i mban imunitetin duke i garantuar paprekshmërinë për sa kohë ai është kryeministër.” – tha Këlliçi.