
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se po punonte me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, për të dërguar një varkë spitalore në Groenlandë, një territor danez që Trump ka thënë se dëshiron ta blejë.
Trump e njoftoi planin në mediat sociale pak çaste përpara se të shtronte një darkë për guvernatorët republikanë në Shtëpinë e Bardhë, ku u ul pranë Landry-t dhe bisedoi me të.
“Duke punuar me Guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një varkë të shkëlqyer spitalore në Groenlandë për t’u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe për të cilët nuk po tregohet kujdes atje. Është duke ardhur!!!” tha Trump.
As Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e Landry-t nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me postën, nëse anija ishte kërkuar nga Danimarka apo Groenlanda dhe cilët të sëmurë kishin nevojë për ndihmë. Departamenti i Luftës nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm, shkruan Reuters.
Mbreti danez Frederik bëri një vizitë të dytë në Groenlandë brenda një viti javën e kaluar, një përpjekje për të demonstruar unitetin me territorin përballë shtytjes së Trump për të blerë ishullin.
Groenlanda, Danimarka dhe SHBA-të në fund të muajit të kaluar zhvilluan bisedime për të zgjidhur situatën pas muajsh tensionesh brenda aleancës mbrojtëse të NATO-s.
Postimi i Trump erdhi disa orë pasi Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës tha se kishte evakuuar një anëtar të ekuipazhit i cili kishte nevojë për trajtim urgjent mjekësor nga një nëndetëse amerikane në ujërat e Groenlandës, shtatë milje detare jashtë kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk.