
Mes tensioneve në rritje dhe përforcimit të pranisë ushtarake amerikane në rajon, Irani po përpiqet të mbajë gjallë negociatat bërthamore me SHBA-në. Një zyrtar i lartë iranian deklaroi për Reuters se një raund i ri bisedimesh indirekte pritet të zhvillohet në fillim të marsit, megjithëse palët vijojnë të jenë të ndara mbi mënyrën dhe mekanizmin e heqjes së sanksioneve në këmbim të kufizimeve ndaj programit bërthamor të Teheranit.
Sipas të njëjtit burim, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme, Irani do ishte i gatshëm të “merrte seriozisht në konsideratë” largimin e uraniumit shumë të pasuruar nga territori i tij, hollimin e tij ose krijimin e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit – një ide e hedhur edhe në fillim të qershorit të vitit të kaluar, pak ditë para shpërthimit të luftës 12-ditore. Megjithatë, Teherani këmbëngul se e drejta për pasurim uraniumi për qëllime civile duhet të njihet.
“Bisedimet vijojnë dhe ekziston mundësia e një marrëveshjeje të përkohshme”, tha zyrtari, duke theksuar nevojën për një “afat të arsyeshëm” për heqjen e sanksioneve.
Pas raundit të fundit të zhvilluar javën e kaluar në Gjenevë, zyrtarët iranianë folën për dakordësi mbi “parime udhëzuese” dhe e përshkruan klimën si pozitive, duke paralajmëruar edhe shkëmbim draftesh. Megjithatë, një ditë më vonë u raportua se Irani nuk kishte pranuar “vijat e kuqe” amerikane, ndërkohë që u shtuan raportimet për një goditje të mundshme të SHBA-së.
Në këtë sfond, presidenti amerikan Donald Trump i dha Iranit një ultimatum prej “10 deri në 15 ditësh”. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë vijuar përgatitjet për një skenar të mundshëm ushtarak, si në det ashtu edhe në tokë. Aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford” ndodhet tashmë në Mesdhe dhe pamje të publikuara të shtunën e tregojnë atë duke iu afruar brigjeve të Israel. Sekretari i Shtetit Marco Rubio pritet të mbërrijë në Izrael për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Brenda administratës amerikane duket se nuk ka një qëndrim të unifikuar për një sulm të mundshëm. Sipas Reuters, disa këshilltarë të Trump kanë rekomanduar shmangien e veprimeve ushtarake. I dërguari special i presidentit, Steve Witkoff, deklaroi për Fox News se Trump është “kurioz” pse Irani nuk ka bërë lëshime pavarësisht përqendrimit të madh të forcave detare amerikane në Lindjen e Mesme, duke theksuar se presidenti ka “shumë alternativa”.
Në përpjekje për të shtyrë përpara diplomacinë, zyrtarë iranianë kanë vënë theksin te përfitimet ekonomike të një zgjidhjeje. Sipas burimit të Reuters, në paketën ekonomike të diskutuar përfshihen mundësi të rëndësishme investimi në industrinë iraniane të naftës për SHBA-në.
Irani nuk do heqë dorë nga kontrolli mbi burimet e tij, por ka lënë të hapur mundësinë që kompanitë amerikane të veprojnë si kontraktore në fushat e naftës dhe gazit. Edhe The Wall Street Journal dhe CNN kanë raportuar se Teherani ka sinjalizuar marrëveshje të mundshme ekonomike për tërheqjen e interesit amerikan në zhvillimin e naftës, gazit dhe mineraleve të rralla.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse dialogu do rifillojë realisht, pasi palët janë në ngërç për çështje thelbësore – nga pasurimi i uraniumit te raketat balistike dhe heqja e sanksioneve. Zyrtarë nga të dyja anët, si dhe diplomatë në Gjirin Persik dhe Evropë, i kanë thënë Reuters se Irani dhe SHBA po rrëshqasin me shpejtësi drejt një përballjeje ushtarake, ndërsa shpresat për një zgjidhje diplomatike po veniten.
Ndërkohë, komandanti i forcave tokësore iraniane, Ali Jahanshahi, deklaroi se lëvizjet e “armikut” përgjatë kufijve po mbikëqyren vazhdimisht dhe se vigjilenca e përhershme e forcave iraniane shërben si pengesë ndaj çdo gabimi llogaritjeje. Paralelisht, media pranë shtetit publikoi pamje të protestave pro-regjim në mbështetje të Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, një ditë pasi në disa universitete shpërthyen protesta studentore me thirrje kundër tij.
Agjencia Fars publikoi pamje nga Universiteti i Teheranit, ku u raportuan slogane kundër SHBA-së, ndërsa agjencia Mehr shpërndau pamje nga një tubim në Universitetin Shahid Beheshti në Teheran, ku u dogjën imazhe të Netanyahut dhe Trump, si dhe flamuj izraelitë e amerikanë, shkruan Ynet.