Vendosni fjalën kyçe....

“Në shi rrëshqet mali, në diell shpërbëhet betoni”- Salianji pas bllokimit të Prrenjas-Librazhd


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale për bllokimin e akseve rrugore në juglindje të vendit, duke e atribuar situatën jo kushteve atmosferike, por korrupsionit dhe keqmenaxhimit.

Salianji deklaroi se rrugët Librazhd–Prrenjas, Qukës–Qafë Plloçë dhe Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh janë shembuj të dështimit të investimeve publike, pavarësisht qindra milionë eurove të shpenzuara ndër vite. Sipas tij, projektet janë ndryshuar për interesa të lidhura me kompani private dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve.

Postimi:

Ne shi rrëshqet mali dhe bllokohet. Në borë e bllokon ngrica. Në diell shpërbëhet betoni. Pra, problemi nuk është moti.
Problemi është korrupsioni në çdo stinë.

Akset kombëtare që lidhin juglindjen janë sot dëshmia më e qartë e dështimit dhe vjedhjes. Rruga Librazhd–Prrenjas është simbol i standardit mizerabël të qeverisjes së Edi Ramës.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas 13 vitesh dhe mbi 300 milionë eurosh, ende nuk është e aksesueshme. Paratë u shtuan për fushatë, jo për standard. Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh u ngushtua dhe iu ndryshua projekti për të favorizuar interesa të lidhura me Devoll Hydropower, jo për t’i shërbyer qytetarëve.

Sot, të gjitha janë të bllokuara dhe për asnjërën nuk ka asnjë përgjegjës. Kjo është braktisje dhe shpërdorim detyre më e pakta! Është braktisje e qytetarëve të juglindjes. Është rrezikim i jetës së çdo udhëtari. Një zonë e tërë është e izoluar, jo nga natyra por nga korrupsioni dhe babëzia.

Në çdo vend me standard europian, një qeveri do të kishte dhënë dorëheqjen.

Në Shqipëri, kjo qeveri duhet larguar!